Mbrojtësi i krahut të djathtë, Bujar Idrizi, është larguar nga klubi i futbollit Llapi. Idrizi nuk do të luajë për asnjë skuadër tjetër në Kosovë. Kapiteni Idrizi ka vendosur që jetën ta vazhdojë në Gjermani. Ai në Gjermani do t’i bashkohet familjes.
Rrugëtimin për katër vjet me Llapin, Idrizi e vlerëson si tejet të suksesshëm dhe shumë emocionues. Ai ndihet krenar që ka bartur fanellën e Llapit.
“Një rrugëtim i gjatë, sfidues, me sakrifica, lot e suksese po merr fund, por krenar me të gjitha arritjet që i patëm gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare e gjysmë së bashku. KF Llapi do të mbetet përherë shtëpia ime e dytë, pasi me emocion, dinjitet e krenari kam udhëhequr një ‘ushtri’ të tërë ‘bardhekaltër’ për gjatë kësaj kohe duke mos kursyer asnjëherë asgjë nga vetja ime”, ka shkruar Idrizi në rrjetin socal “Facebook”.
Ai ka falënderuar edhe drejtuesit e klubit Llapi për korrektësinë, ndërsa për tifogrupin “Legjendat” dhe llapjanët ka thënë se gjithmonë e kanë përkrahur. Idrizi me fanellën e Llapit ka fituar tre trofe në futbollin kosovar. Dy herë Kupën dhe një herë Superkupën e Kosovës.
“Jam krenar që si kapiten i ekipit arritëm të fitojmë dy herë Kupën e Kosovës, një herë Superkupën dhe pas 89 vjetësh themelim t’ia sigurojmë klubit daljen në arenën ndërkombëtare. Faleminderit mediave, televizioneve dhe gjithë gazetarëve për raportet korrekte që kishim gjatë gjithë kohës. Po largohem me kokën lart dhe me shpresën se një ditë do ta përfaqësoj sërish ekipin tim të zemrës”, ka theksuar Idrizi.
Idrizin si kapiten do ta zëvendësoj Benjamin Emini. Edhe Emini në të shkuarën i ishte larguar Llapit si kapiten për ta vazhduar jetën në mërgim. Por, ai është rikthyer dhe sërish do ta ketë shiritin e kapitenit në krah. “Largimi i kapitenit Bujar Idrizi është humbje e madhe, por gjithçka shkon me kohën. Bujari ka dhënë kontribut dhe ka lënë gjurmë me klubin e zemrës Llapin dhe gjithë qytetin. Kështu, ai po largohet si hero nga Llapi dhe ne i dëshirojmë fat dhe lumturi në vazhdimësi, në familje dhe në shtetin ku do ta vazhdojë jetesën. Kapiten i ri i Llapit do të jetë Benjamin Emini”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Batatina ka njoftuar se së shpejti Arbnor Ramadani do të jetë lojtar i skuadrës së Llapit. E, sipas tij, Ramadani do të luajë për Llapin derisa të pensionohet nga futbolli aktiv. Ai e vlerëson Ramadanin si përforcim të rëndësishëm për ekipin e tij.
“Arbnor Ramadani do të jetë lojtar i Llapit deri në pensionim. Po presim vetëm dokumentet që të dalë lojtar i lirë nga FFK-ja e më pas do ta prezantojmë”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Ramadani është lojtar i Gjilanit. Te Gjilani kaloi nga skuadra e Llapit në korrik të këtij viti. Më herët ka luajtur edhe për Dritën. Por, Batatina beson se Ramadani nuk do të largohet më nga Llapi. Ramadani luan në pozitën e mesfushorit dhe është 28-vjeçar. Llapi e ka përfunduar pjesën e parë të këtij edicioni në pozitën e gjashtë në tabelë. Ka tubuar 20 pikë pas 18 ndeshjeve të zhvilluara.