Kanë përfunduar pjesët e para të tri ndeshjeve të fundit të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në futboll. Në të tri ndeshjet që po zhvillohen në Podujevë, Gjilan dhe Lipjan, rezultati është zhbllokuar gjatë 45 minutave të para.
Drita po avancon në derbin ndaj Gjilanit, falë golit që e shënoi në fund të pjesës së parë. Në minutën e 43-të, Blend Baftiu shënoi me kokë pas harkimit të Besnik Krasniqit nga krahu i djathtë.
Te Drita, tentuan Kedhe astriot Selmani (17’) e Besnik Krasniqi (32’), por nuk u treguan të saktë, ndërsa Gjilani u kundërpërgjigj nëpërmjet Albert Dabiqajt, i cili pas asistimit të Mevlan Zekës gjuajti pranë portës. Dueli ndërmjet Llapit dhe Ballkanit, është zhbllokuar në minutën e pestë kur sulmuesi Festim Alidema u tregua i saktë nga penalltia. Ndërsa, në stadiumin “Sami Kelmendi”, Prishtina është në disavantazh përball Malishevës. Malisheva kaloi në epërsi, po ashtu në minutën e pestë me golin e shërnuar nga Ronald Sobowale.