Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liverpooli pret Unitedin në derbin e xhiros

Skuadra e Liverpoolit synon ta mbajë pozitën e parë në tabelë edhe pas xhiros së 17-të në Premier League. Megjithatë, skuadra e trajnerit Juergen Klopp do ta ketë një test të vështirë këtë vikend. Përballet me Manchester Unitedin në derbin e kësaj xhiroje të kampionatit të Anglisë. Dueli mes Liverpoolit dhe Unitedit zhvillohet të dielën prej orës 17:30 në stadiumin “Anfield Road”. Liverpooli është lider në Premier League me 37 pikë të mbledhura dhe ka një ecuri fantastike, ku në nëntë ndeshjet e fundit nuk di për humbje në kampionat. Në anën tjetër, Manchester Unitedi është në një krizë, e cila u konfirmua në mesjavë kur u eliminua në Ligën e Kampionëve. Në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ekipi i trajnerit Erik ten Hag ka tri humbje dhe në Premier League zë vendin e gjashtë me 27 pikë të tubuara. Liverpooli ka bilanc më të mirë ndaj Unitedit në përballjet e fundit në kampionale. Ka shënuar tri fitore karshi një disfate në katër ndeshjet e fundit. Dueli i fundit mes këtyre dy skuadrave u zhvillua në muajin mars të këtij viti, me Liverpoolin që triumfoi 7:0.

Ndeshje të vështirë këtë xhiro do të ketë edhe Arsenali që është i dyti në tabelë dhe ka një pikë më pak se Liverpooli. Të dielën, po prej orës 15:00, Arsenali luan në shtëpi me skuadrën e Brightonit që ka dhjetë pikë më pak se londinezët. Arsenali në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi javën e shkuar nga Aston Villa, ndërsa Brightoni nuk di për humbje në dy ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar një fitore dhe një barazim.

Manchester City llogaritet favorit ndaj Crystal Palacet në duelin që luhet të shtunën dhe nis në orën 16:00. City xhiron e shkuar u kthye te pikët e plota pas një serie prej katër ndeshjeve pa fitore dhe është i katërti në tabelë me 33 pikë. Ndërkohë Crystal Palace ka marrë vetëm një pikë në pesë duelet e fundit dhe renditet në pjesën e poshtme të tabelës.

Të shtunën në të njëjtën kohë luan edhe Chelsea që e pret Sheffield Unitedin, ndërsa të dielën prej orës 15:00 Aston Villa është mysafir i Brentfordit.

Artikuj të ngjashëm