Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liverpooli nuk dorëzohet për titull

Liverpooli vazhdon luftën për titull kampioni në Premier League. Të shtunën e fitoi udhëtimin e vështirë te Newcastle me rezultatin 1:0, ndeshje kjo që i takoi xhiros së 35-të të Premier Leagues.

Trajneri Juergen Klopp bëri pesë zëvendësime në ndeshjen që u zhvillua në “St James’ Park”, duke e lënë në bankën rezervë edhe sulmuesin Mohamed Salah, për shkak të gjysmëfinales kthyese të Ligës së Kampionëve të mërkurën.

Newcastle nisi me presing të lartë, por Liverpooli e mori lojën në dorë dhe si rezultat, shënoi në minutën e 19-të me Naby Keitan. Ai e realizoi golin e katërt të sezonit për Liverpoolin.

Deri në fund skuadra e “të kuqve” pati edhe disa mundësi të mira shënimi, por portieri Martin Dubravka nuk lejoi të mposhtej më.

Pas 34 ndeshjeve, Liverpooli ka 84 pikë, ndërsa Newcastle ka 43 pikë në mesin e tabelës.