Liverpooli me shumë gjasë nuk do të blejë qendërmbrojtës në muajin janar për ta mbuluar hapësirën e lënë nga të lënduarit te ky klub i Premier Leagues.
Trajneri gjerman i skuadrës, Jurgen Klopp, bëri të ditur se pandemia Covid-19 dhe kushtet financiare, nuk lejon një gjë të tillë. Tre qendërmbrojtësit kryesorë të ekipit, Virgil van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip janë të lënduar, ndërsa Kloppi është detyruar që me Fabinhon dhe Jordan Hendersonin të mbulojnë këto pozita në fushë. Së fundmi ndodhi në humbjen 1:0 nga Southamptoni të hënën.
“Nuk mund të them përfundimisht se nuk do të marrim qendërmbrojtës, por me shumë gjasë jo, për shkak të situatës në botë”, u ka thënë Kloppi gazetarëve para ndeshjes së raundit të tretë në Kupën FA kundër Aston Villas. “Situata është e rëndë për njerëzit dhe klubet e futbollit po ashtu”, nënvizoi ai.
Lideri Liverpool i ka lëshuar shtatë pikë në tri ndeshjet e fundit. Manchester Unitedi në vendin e dytë ka pikë të njëjta dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.