Sport

Liverpooli ndaj Fulhamit, top-ekipet e tjera luajnë në Kupën FA

Foto: Reuters

Liverpooli i motivuar do të kërkojë të vazhdojë presionin ndaj Manchester Cityt në Premierligë.

“Të kuqtë”, pasi eliminuan Bayern Munichun në Ligën e Kampionëve, synojnë formën pozitive edhe në ligë.

Futbollistët e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp, të dielën do të jenë mysafirë të Fulhamit, i cili këtë sezon po lufton për mbijetesë.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Anfield” , Liverpooli kishte mposhtur Fulhamin 2:0 me golat e Salahut dhe Shaqirit.

Pikërisht Shaqiri mund të rikthehet titullar ndaj Fulhamit, skuadër së cilës i kishte shënuar në takimin e parë, transmeton “Sporti në KTV”.

Liverpooli, me fitore eventuale në këtë ndeshje, do të kalonte në pozitën e parë në Premierligë, pasi derbi ndërmjet Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit është shtyrë për shkak të ndeshjeve të Kupës FA.

Chelsea, që është duke luftuar për një pozitë që siguron pjesëmarrjen në Champions League, pritet të ketë punë të vështirë në udhëtim tek Evertoni.

“Blutë e Londrës” kanë 57 pikë, një më pak se Arsenali që është në pozitën e katërt, me 58 pikë.

Përveç ndeshjes City – United, këtë xhiro nuk do të luajnë as Arsenali dhe Tottenhami, pasi kundërshtaret e të dyja skuadrave do të ballafaqohen në kuadër të Kupës FA.