Liverpooli e ka siguruar finalen e 14-të në Kupën EFL që është rekord në Angli. Këtë sukses, Liverpooli e arriti të mërkurën mbrëma, pasi në gjysmëfinale e eliminoi Fulhamin.
Ndonëse ballafaqimi kthyes i gjysmëfinales u mbyll baras, 1:1, Liverpooli kalon tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
“Të kuqtë” krijuan epërsi prej një goli në minutën e 11-të. Shënues për nëntë herë fituesin e kësaj gare ishte sulmuesi kolumbian, Luis Diaz. Issa Diop i barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 77-të, por kjo ishte e tëra në këtë ndeshje, pasi gola nuk pati më. Liverpooli e Chelsea do të takohen në finale të Kupës EFL në “Wembley”, më 25 shkurt.