Trajneri nga Lituania, Audrius Prakuraitis do të jetë në krye të KB Bashkimit për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Ekipi nga Prizreni, të hënën ka njoftuar për angazhimin e Prakuraitisit, i cili ditëve në vijim do ta nis punën me skuadrën.
Prakuraitis është i njohur në basketbollin kosovar, pasi në të shkuarën ka punuar në Kosovë dhe ka qenë i suksesshëm. Ai gjatë sezonit 2016/17, ishte në krye të Sigal Prishtinës, ekip me të cilin e fitoi titullin dhe kupën e Kosovës.
“Për të ngritur nivelin e lojës së ekipit tonë, kryesia e KB Bashkimi ka vendosur që ekipit tonë t'i bashkohet një trajner kampion dhe fitues i kupës në Kosovë. Bëhet fjalë për trajnerin e mirënjohur nga Lituania, Audrius Prakuraitis, me të cilin synojmë suksese të mëdha me ekipin tonë. Prakuraitis në sezonin 2016/17 pati dominuar plotësisht në basketbollin kosovar, duke fituar titullin dhe kupën me Prishtinën dhe e njeh shumë mirë ligën tone”, thuhet në njoftimin e klubit.
Prakuraitis gjatë karrierës ka punuar si trajner edhe në Rumani, Estoni, Ukrainë e Bahrein. Në postin e trajnerit te Bashkimit, ai do të zëvendësojë Darko Raduloviqin e larguar javë më parë.
Në krye të ekipit deri më tani, ka qenë ndihmësi Edin Kërveshi. Në dhjetë ndeshje të luajtura këtë edicion në Superligë, Bashkimi ka katër fitore karshi gjashtë humbjeve.