Trajneri kroat i Bashkimit, Sasha Jankoviq, ka karrierë të suksesshme si basketbollist. Ka luajtur për skuadra si Kvarner e Zabok në Kroaci dhe Banska Bystrica, Iskra Svit, Rieker Komarno, Inter Bratislava, Slavia Kosice e Handlova në Sllovaki. Si basketbollist e ka fituar titullin e kampionit me Riekerin dhe Kupën sllovake me Iskra Svitin.
Jankoviq nuk ka trofe si trajner. Trofeun e parë e synon me Bashkimin e Prizrenit në Superligën e Kosovës.
Jankoviq pati suksese me skuadrën sllovake Prievidzas, duke e fituar medaljen e bronztë në ligë në edicionin e kaluar dhe duke u kualifikuar në fazën grupore të “FIBA Europe Cup”. Kjo skuadër përfundoi në vendin e dytë të Grupit J me katër fitore e dy humbje. Avancimin në fazën grupore, Prievidza e arriti pas shtatë vjetësh.
Pas shtatë vjetësh edhe Bashkimi e synon titullin e kampionit, të dytin në histori. Klubi prizrenas titullin e parë e fitoi në edicionin 2017/18, ndërsa i kishte humbur dy finale, në edicionin 2008/09 dhe 2016/17. Në të dy rastet ishte mposhtur nga Prishtina.
“Kam fituar titull e Kupë, por si trajner kjo është finalja ime e parë. E di se tifozët po e presin këtë mundësi për kohë të gjatë. Jemi me energji pozitive, kemi përkrahje nga të gjithë njerëzit në qytet dhe do të bëjmë çdo gjë për ta arritur këtë sukses. Besoj në ekipin tim dhe besoj se kemi mundësi për të shkuar deri në fund e për ta fituar titullin”, ka deklaruar Jankoviq të premten për KOHËN.
Bashkimi të enjten mbrëma e siguroi finalen e plejofit, ku do të përballet me Trepçën. Ekipi prizrenas e eliminoi Pejën me rezultatin 3:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Në “Karagaçi” në Pejë, Bashkimi fitoi 84:78 në ndeshjen e katërt gjysmëfinale. Edhe ajo ndeshje u përcoll me incidente. Në fillim të çerekut të katërt, një tifoz, që ishte në parket, e goditi me top basketbollistin e Bashkimit, Jayveous McKinnis. Amerikani iu afrua me vrull, ndërsa tifozi e shtyu në trup. Janë afruar edhe lojtarë të tjerë të Bashkimit dhe u krijua një tollovi. Tifozët u larguan nga ajo pjesë e parketit dhe ndeshja vazhdoi pas pak minutash. Ndërkohë, tetë sekonda para fundit, në fushën e lojës u hodhën mjete të shumta plasëse. Madje një mjet shpërthyes është hedhur shumë pranë këmbëve të Altin Morinës, basketbollist i Bashkimit. Ndeshja u ndërpre sërish, ndërsa vazhdoi pas largimit të të gjithë tifozëve nga palestra.
Por te Bashkimi u janë kthyer sfidave të radhës.
Seria finale me Trepçën nis të dielën në “Sezai Surroi” në Prizren, por ndeshja e parë luhet pa praninë e shikuesve. Bashkimi është i dënuar me një ndeshje pa shikues për shkak të përleshjeve në ndeshjen e fundit në Prizren me Pejën. Përleshja në parket ndodhi mes zyrtarëve të klubit dhe pjesëtarëve të sigurisë.
Bashkimi stinorin e rregullt e përfundoi në vendin e parë dhe do ta ketë përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e shtatë eventuale. Finalja zhvillohet deri në katër fitore.
Por skuadra e portokalltë nuk pritet ta ketë lehtë.
Përballë Bashkimit do të jetë skuadra që e dominoi basketbollin kosovar vitin e kaluar duke i fituar të gjithë trofetë. Trepça vazhdoi shkëlqimin këtë edicion duke i fituar edhe Superkupën dhe Kupën e Kosovës.
Në finale të Kupës fitoi pikërisht ndaj Bashkimit.
“Trepça është skuadër shumë e fortë, me trajner me eksperiencë të madhe. Te kjo skuadër e dinë se si të fitojnë trofe. Vitin e kaluar fituan shumë trofe. Ne humbëm ndaj tyre në finale të Kupës, kështu që tani kemi motivim më të madh për ta fituar titullin. Secila ndeshje do të jetë ndryshe, çdo detaj mund të vendosë. Do të jetë shumë e rëndësishme të qëndrojmë të fortë në aspektin mental dhe ta japim maksimumin”, ka shtuar trajneri kroat i Bashkimit.
Bashkimi stinorin e rregullt e mbylli me 20 fitore e tetë humbje. 19 fitore e nëntë humbje i kishte Trepça. Të dy skuadrat e nisën serinë e plejofit nga gjysmëfinalet.
“Jemi të lumtur që përfunduam në vendin e parë dhe kaluam drejt në gjysmëfinale. E shfrytëzuam avantazhin dhe atmosferën e zjarrtë para tifozëve tanë. Dua t’i falënderoj për përkrahjen e madhe, kjo do të thotë shumë për ne. Ne shpresojmë që ta shfrytëzojmë avantazhin edhe në ndeshjet finale”.
Jankoviq, trajner i Bashkimit është prej 21 janarit. Brenda pak kohe mund ta shënojë edhe suksesin më të madh në karrierën si trajner. Ai ka lavdëruar drejtuesit e klubit për punën e madhe që është bërë në skuadër.
“Kur erdha në klub situata dhe atmosfera në skuadër ishte shumë e mirë, sepse Bledari dhe Elbesari kanë bërë punë të mirë pasi kishin katër fitore rresht. Kështu që puna ime u bë më e lehtë. Lidhja e mirë mes lojtarëve dhe stafit të trajnerëve është hapi më i rëndësishëm nëse dëshiron të vazhdosh për titull. Dhe mendoj se ne kemi qëndruar së bashku në momente të mira e të këqija. Ky ka qenë çelësi i suksesit drejt rrugëtimit në finale”, ka theksuar Jankoviq.
Në rast të triumfit në finale të plejofit, Bashkimi do të barazohej me Golden Eagle Yllin me nga dy tituj në Superligë. Nga një titull kanë Mabetexi dhe Drita. Trepça ka pesë tituj e Peja gjashtë. Sigal Prishtina është skuadra më e suksesshme me 14 tituj.