Eubekir Kopili nuk ka munguar në asnjë prej stërvitjeve të mbajtura sivjet në klubin e boksit Lisnaja. I rregullt në stërvitje është edhe Muhamet Ahmeti.
Kopili 13-vjeçar dhe Ahmeti 11-vjeçar janë dy prej 15 boksierëve të rinj që thuajse rregullisht paraqiten në stërvitje te Lisnaja. Të enjten, megjithatë, në stërvitje ishin vetëm katër boksierë të rinj.
Trajneri Hasan Veseli e arsyeton mungesën e të tjerëve. Thotë se i ka liruar për shkak të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ai thekson se mungesat janë fare të rralla.
Prania e rregullt e të rinjve të fshatit Dubravë të Ferizajt në stërvitje e gëzon trajnerin Veseli. Ai thekson se qëllimi i parë është realizuar. Sipas tij, hapja e klubit ka pasur për qellim largimin e të rinjve nga dukuritë negative.
“Këtu pihet droga shumë. Dhe bashkë me kolegun tim, kryetarin e klubit Ragip Danqin, i cili është në Suedi, e kemi hapur klubin e boksit për të rinjtë për të mos i lënë rrugëve ose të mos bëhen përdorues të substancave narkotike dhe gjërave të tjera”, thotë Veseli për KOHËN.
Lokali ku ushtrojnë boksierët e rinj të klubit Lisnaja ndodhet në qendër të fshatit Dubravë, pak kilometra larg Ferizajt.
“Aktualisht kemi 15 anëtarë të klubit të boksit, por 15 nuk janë të shkëlqyer. Janë pesë apo gjashtë boksierë potencialë që do të arrijnë shumë”, është shprehur i bindur Veseli.
Klubi Lisnaja ende nuk e ka mbushur një vit prej që është themeluar. Është i regjistruar në të gjitha institucionet, Federatë, Komunë dhe në Ministrinë e Administratës Publike.
Nga qeverisja lokale dhe ajo qendrore, Veseli thotë se nuk kanë marrë kurrfarë ndihme.
“Jemi me dokumentacion të plotë në Federatë, Qeveri dhe në Komunë të Ferizajt. Por deri tash nuk kemi pasur asnjë ndihmë. Falënderojmë diasporën që na ka ndihmuar me vegla, mjete financiare dhe thasë”, tregon trajneri, që krenohet me të kaluarën e tij në boks.
Hapësira që shfrytëzohet nga boksierët e moshave nga 11 deri 17 vjeç nuk i plotëson as për së afërmi kushtet. Gjithçka ishte e improvizuar. Për sallën që ndodhej mbi një dyqan, Veseli thotë se qiraja kushton 280 euro. Qiranë e paguan kryetari Ragip Danqi. Veseli tregon se për të paguar dy muajt e parë të qirasë, kryetari Danqi ka shitur një veturë.
“Kryetari e paguan këtë lokal 280 euro në muaj, kurse unë nuk marr rrogë. Vij vullnetarisht për shkak të fëmijëve që të mos dalin në rrugë, të mos futen rrugëve të këqija duke u bërë përdorues të drogës apo ndonjë gjë tjetër. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse kemi formuar klubin e boksit Lisnaja. Unë e dua këtë sport, sepse kam qenë kampion i Kosovës. Është më mirë të vijnë këtu të ushtrojnë sesa të dalin në rrugë”, thotë ai
Trajneri Veseli tregon se krahas boksit, nxënësit e tij ndjekin edhe shkollimin. Madje thotë se ua kërkon edhe vlerësimin në shkollë.
Disiplina ishte në nivel në stërvitjen e së enjtes.
Veseli pret që numri i të rinjve të fshatit të rritet edhe më shumë në muajt e ardhshëm.
“Kur kemi nisur, kemi pasur afërsisht 200 fëmijë, por për shkak të ftohtit nuk po vijnë me rregull. Por besoj që në pranverë numri do të rritet për shkak se kemi një fushë të futbollit ku mund të stërvitemi”, ka thënë trajneri i Lisnajës.
Vlerësime për organizimin e klubit, që ka kryesisht fëmijë të komunitetit ashkali, kanë edhe nga Federata e Boksit e Kosovës. Thonë se ata janë shpresë e madhe për t’i siguruar Kosovës medalje.
Medalje nga ngjarjet e mëdha synojnë Eubekir Kopili dhe Muhamet Ahmeti.
Eubekiri thotë se në fillim ishte marrë me futboll. Por ndërroi mendje. Ai e sheh boksin si rrugë më të mirë për t’i siguruar Kosovës medalje nga arena ndërkombëtare.
“Më pëlqejnë sportet luftarake shumë. Kam qenë njëherë me futboll i angazhuar, por e lash futbollin dhe u aktivizova me boks. Është sport që më pëlqen”, ka thënë Kopili.
Ai insiston se synon të bëhet kampion bote.
“Kam dëshirë shumë të shkoj nëpër gara dhe të bëhem ndoshta edhe kampion për Kosovën. Nuk i dihet”, është shprehur ai.
Synim të njëjtë ka edhe Muhamet Ahmeti.
“E kam sport të preferuar boksin dhe dëshiroj të fitoj medalje të mëdha për Kosovën”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti, Kopili dhe dy boksierët e tjerë e kanë të zakonshme që pas çdo stërvitjeje të brohorasin “Kosova”. Kështu vepruan edhe të enjten.