Skuadra nga Prizreni që vinte nga humbja minimale ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, nuk kishte zgjidhje tjetër vetëm se ta kërkonte golin që nga minuta e parë e takimit.
Kështu doli te jetë pasi qysh në minutën e 6-të vendësit qëlluan shtyllën, me gjuajtjen e Jetmir Sefës nga largësia, por këtë herë mysafirët ishin me fat pas topi nuk e kaloi vijën fatale.
Në minutën e 31-të mitrovicasit e regjistruan gjuajtjen e parë në portën e vendësve, me mesfushorin Ylber Maloku qe tentoi nga distanca por topi përfundoi jashtë portës, raporton Sporti në KTV.
Liria mbizotëronte me mbajtjen e topit, por e kishte të vështirë të gjente hapësira ne fazën e sulmit. Sidoqoftë, ishte përsëri i disponuari për lojë Sefa, që rrezikoi nga distanca por tani gjuajtja e tij ishte larg kornizës së portës së Hajdinit.
Kampioni aktual me të filluar pjesa e dytë e pati një mundësi të mirë shënimi kur Oto John doli i vetëm përballë portierit Bakaj, por qendërmbrojtësi me përvojë Endri Vrapi reagoi mjaftë mirë duke i larguar topin nga këmbët sulmuesit të rrezikshëm nga Nigeria.
2 minuta më pas skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi pati mundësi të artë të kalojë në epërsi por sulmuesi Zeka nuk e shfrytëzoi tollovinë e krijuar në zonë.
Loja e mirë e prizrenasve u shpërblye në minutën e 67-të, kur i inkuadruari në lojë Zenel Gavazaj u ndal në mënyrë të palejuar nga ish mbrojtësi i Lirisë, Richard, dhe gjyqtari Leutrim Mustafa që ishte afër, akordoi 11-metërsh.
Nga pika e bardhë u tregua i saktë Zeka që realizoi golin e parë për skuadrën e tij të re në këtë edicion.
Deri në fund futbollistët vendës administruan mjaftë mirë epërsinë prej një goli, për t’i dhënë Shkëmbit fitoren e parë si trajner në elitën e futbollit kosovar.
Liria në xhiron e radhës ka udhëtim të vështirë pasi i shkon Prishtinës, kurse Trepca ‘89 e pret në shtëpi Drenicën.