Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, do ta vazhdojë karrierën në Ligue 1. “L’Equipe” ka shkruar të premten se Zhegrova do të largohet nga Baseli gjatë këtij muaji për t’iu bashkuar kampionit në fuqi të Francës, Lillet.
Gazeta franceze bën të ditur se Lille për shërbimet e Zhegrovës ka mposhtur konkurrencën e fortë të Lyonit. Për kartonin e Zhegrovës, Lille është pajtuar t’ia paguajë Baselit shtatë milionë euro.
Thuhet se marrëveshja mes të gjitha palëve dhe Zhegrova tashmë është në Francë për të firmosur kontratën pesëvjeçare me Lillen. Madje, thuhet se Zhegrova i ka kaluar me sukses edhe kontrollimet mjekësore. Ai te Lille, do ta zëvendësojë sulmuesin e krahut, Jonathan Ikonen që ditë më parë u transferua te Fiorentina për 20 milionë euro.
Zhegrova këtë edicion ka treguar paraqitje të mira te Baseli, ku ka shënuar katër gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 15 paraqitje në të gjitha garat. 22-vjeçari në fillim të vitit 2019 ishte huazuar nga Genku te Baseli, përpara se ekipi zviceran ta blejë kartonin e tij për 1.5 milionë euro.
Në total, Zhegrova ka shënuar 28 gola në 74 ndeshje për Baselin, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2023. Ai ka gjithashtu edhe dy gola në 24 ndeshje me Kosovën prejse debutoi në mars të vitit 2018.