Sport

Lilaj kthehet pas pesë vjetësh të luajë në Prishtinë, qytetin ku ka kujtime të mira

Sabien Lilaj ka kujtime të mira në Prishtinë. Ishte viti 2015 kur Lilaj para rreth 20 mijë shikuesve u paraqit për kombëtaren e Shqipërisë në ndeshje miqësore kundër Kosovës që ishte organizuar për të festuar suksesin historik të Shqipërisë, që për herë të parë u kualifikua në një ngjarje të madhe, Kampionatin Evropian “Franca 2016”.

Ai pati luajtur në 13 minutat e fundit në stadiumin e qytetit të Prishtinës që sot mban emrin e legjendës “Fadil Vokrri”.

Ndeshja pati përfunduar pa fitues, 2:2. Por për Lilajn dhe futbollistët e tjerë që luajtën në atë ndeshje, do të mbetet një nga duelet më të veçanta në karrierë, shkruan KOHA. Tani mesfushori 31-vjeçar nga Korça shpreson të luajë më gjatë në Prishtinë, klubin me më së shumti trofe në Kosovë. Me Prishtinën ka nënshkruar kontratë trevjeçare.

“Edhe në vitin 2010 isha i përfshirë në listën për të luajtur kundër Kosovës në Prishtinë, por para ndeshjes pësova lëndim dhe nuk pata fatin të luaja, kurse më 2015 ishte e jashtëzakonshme që u paraqita. Do ta kujtoj gjithmonë si një ndeshje të veçantë. Gjithçka ishte në perfeksion atë ditë”, ka thënë Lilaj, që për Shqipërinë luajti edhe në Zvicër kundër Kosovës në vitin 2018.

Ndeshjen e fitoi Kosova 3:0. Kthimi në Prishtinë për Lilajn tani është me një mision tjetër - ta ndihmojë Prishtinën ta fitojë titullin.

“Drejtuesit e klubit më kanë thënë që ky është viti i duhur që Prishtina të dalë kampione, pasi janë bërë disa vjet që nuk kemi dalë, kështu që prioritet është triumfi në kampionat. Pastaj, pse jo që në aspektin personal të zhvillojë kampionat të mirë dhe të vazhdojë të tregojë paraqitje të mira deri në fund të kontratës që e kam për tri edicione”, është shprehur Lilaj që edicionin 2020/2021 do ta bartë fanellën me numrin 88. “Unë isha në Izrael dhe kisha një vit kontratë, por vendosa të kthehesha në Shqipëri. Për shkaqe familjare dëshiroja të kthehesha në Shqipëri këtë vit. Kisha rënë dakord me një klub në Shqipëri, por pata disa probleme dhe nuk u bë që të luaj në Shqipëri, erdhi telefonata e Prishtinës dhe ramë dakord shumë shpejt, kështu që pse jo të provoj një aventurë e re. Jam në shtëpi, pasi Kosova dhe Shqipëria janë bërë shumë afër”, është shprehur Lilaj.

Ai insiston se nga Kosova nuk do të largohet pa fituar titullin e kampionit, trofe që Prishtinës i ka munguar që nga viti 2013.

“Nuk e kam ndërmend të largohem nga Kosova, do Zoti shkon gjithçka mirë dhe pse jo ta mbyll karrierën në Kosovë me një titull të fituar. Për tituj kam ardhur. Në futboll ka diçka që jep maksimumin dhe nuk e di se a do dal kampion, por shpresojmë që pa titull në Kosovë të mos e mbyll karrierën”, ka deklaruar Lilaj.