Sport

Lëvizjet që mund t’u kushtojnë me vend në përfaqësuese disa futbollistëve të Kosovës

Prishtinë, 18 shkurt - Derisa Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Betim Fazliji e Ibrahim Dresheviq po kalojnë formë të mirë te klubet e tyre, qendërmbrojtësi tjetër i Kosovës, Mirlind Kryeziu ka bërë një lëvizje jo shumë të lavdishme në karrierë. Me synimin që të luajë rregullisht, Kryeziu ka lënë Zuerichun përkohësisht dhe ka kaluar si huazim te Kriensi i kategorisë së dytë zvicerane.

Kryeziu 24-vjeçar synon ta kthejë karrierën në binarë me huazimin te Kriensi, por kjo lëvizje mund të ketë edhe çmimin e vet. Në kohën kur përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të nisë ciklin eliminator për Botërorin 2022, Kryeziu do të jetë duke luajtur në kategorinë e dytë helvetike. Ka shumë gjasë që ky nivel të mos jetë i mjaftueshëm për vend në përfaqësuese, sidomos për një repart ku konkurrenca nuk mungon. Dhe kështu Kryeziu rrezikon seriozisht që të humbë vendin në ekipin e Kosovës.

Por Mirlind Kryeziu nuk është i vetmi që me lëvizjen e fundit në karrierë ka rrezikuar vendin te Kosova. Ka edhe të tillë që është dashur të lëvizin për të përmirësuar pozitën e tyre, por nuk e kanë bërë këtë.

Ka mbetur pak më shumë se një muaj deri te grumbullimi i parë i Kosovës për ndeshjet kualifikuese të “Botërorit 2022”. Kosova më 24 mars luan miqësore me Lituaninë, ndërsa më 28 mars e pret Suedinë në ndeshjen e parë kualifikuese për ciklin e ri. Më 31 mars Kosova luan me Spanjën në udhëtim.

Mund të ketë emra të rinj në përfaqësuese dhe rrjedhimisht lojtarë që do të mbesin jashtë. Ndryshimet vlerësohen të domosdoshme marrë për bazë synimet që ka Kosova për cikël të suksesshëm dhe rezultatet negative të vitit të kaluar. Plotësimi i grupit të lojtarëve vlerësohet parakusht për këtë.

Image

Në disa pozita, si ajo e mbrojtësit të qendrës, konkurrenca vlerësohet e madhe dhe nuk do të vijnë në shprehje lojtarët që nuk luajnë apo ata që paraqiten në nivele më të ulëta. Ndërkohë në pozita të caktuara konkurrenca mungon dhe kjo e bën thuajse të pamundur që të ketë kriter të lartë me rastin e përzgjedhjes.

Shtatlarti Kryeziu është ftuar thuajse rregullisht te Kosova, ndonëse e ka fituar pak rastin. Vendi i tij rrezikohej edhe për mungesë hapësire te Zuerichu, por kalimi në kategorinë e dytë vështirë se do të ndryshojë gjendjen.

“Me Mirlindin kemi qenë në gjendje të zgjidhim çështjen e fundit sa i përket ekipit. Mbrojtësi i qendrës, që është vetëm 24-vjeçar, do të përmirësojë edhe më shumë stabilitetin në mbrojtjen tonë. Me gjatësinë që ka, ai do të jetë po ashtu i rrezikshëm në zonën e kundërshtarit pas ndërprerjeve”, ka thënë Bruno Galliker, drejtues i Kriensit.

Kategoria e dytë e Zvicrës është e mbushur me futbollistë nga Kosova. Por kjo ligë nuk përshtatet me nivelin që e synon Kosova.

Porta vazhdon të jetë “pozita” më e ndjeshme te Kosova. Derisa Arijanet Muriq ka nisur të luajë te Willem II, Samir Ujkani herë ftohet e herë jo te Torino. Por ai nuk luan asnjëherë. Te Kosova, në mungesë të portierëve të tjerë në nivele serioze, pritet të ftohet sërish.

Te mbrojtësit e krahut pritet të mos ketë ndryshime, ndërsa mesfushorët nuk janë në ditët më të mira. Derisa Anel Rashkaj ka kaluar nga elita e Finlandës (ku nuk po luante shumë) në kategorinë e dytë të Suedisë, Herolind Shala është ende pa skuadër, ndërsa Hekuran Kryeziu ka humbur vendin te Zuerichu.

Mesfusha mund të forcohet në llogari të Rashkajt, që në një mënyrë ka pranuar se kalimi në kategorinë e dytë të Suedisë do ta lërë jashtë përfaqësueses. Edhe elita e Suedisë deri më tani nuk është marrë shumë për bazë me rastin e përzgjedhjes së ekipit të Kosovës.

“Mendoj se koha ime në përfaqësuese është afër fundit”, ka thënë Rashkaj, që ka firmosur me Orgryten.

Shala, nëse gjen skuadër shpejt, dhe Hekuran Kryeziu pritet të ftohen sërish, marrë për bazë që kanë qenë titullarë të padiskutueshëm te Kosova.

Valon Berisha e Bersant Celina po luajnë në elitën e Francës dhe nuk janë të rrezikuar, derisa Besar Halimi kryesisht po luan te Sandhauseni në Bundesliga 2. Idriz Voca mund të jetë një tjetër konkurrent për mesfushën, kurse në ftesë shpreson edhe Florian Loshaj.

Te sulmuesit e krahut, konkurrenca është shumë e fortë. Lojtarë si Arbër Zeneli e Milot Rashica vlerësohen të paprekshëm, ndërsa ftesat pritet të shkojnë edhe për Edon Zhegrovën e Lirim Kastratin. Bernard Berisha, Florent Hasani, Florent Muslija, Elbasan Rashani po ashtu presin ftesë, por nuk do të ketë vend për të gjithë.

Në sulm thuajse pa gjasa është Atdhe Nuhiu, që vazhdon të jetë pjesë e APOEL-it në kampionatin jo shumë të vlerësuar të Qipros. Por shtatlarti Nuhiu ka humbur vendin në ekip, pasi për një kohë ishte rezervist dhe merrte fare pak minuta. Nuhiu nuk ka shënuar asnjë gol këtë edicion në 16 paraqitje kampionale dhe nëse nuk bën ndonjë ndryshim të shpejtë në karrierë, ai do të jetë një ish-lojtar te Kosova. Edhe në të kaluarën ka pasur vlerësime që nuk kanë shkuar në favor të grumbullimit të tij me Kosovën. Nuhiu ka refuzuar të flasë për gjendjen e tij në nivel klubesh, ndërkohë që është përfolur për një kalim të tij në Austri.

Edhe në sulm konkurrenca nuk vlerësohet shumë e madhe, ndërsa Vedat Muriqi është i pakonkurrencë. Valmir Sulejmani, që po luan mirë te Hannoveri, mund të jetë konkurrent e ndoshta edhe Astrit Selmani, që vjet shkëlqeu në elitën e Suedisë.

Në përgjithësi gjendja e lojtarëve nuk është përmirësuar në raport me periudhën kur Kosova i luajti ndeshjet e kaluara. Lëvizjet që janë bërë më shumë ishin hap prapa sesa ndonjë avancim në karrierë. Kështu që përzgjedhësin Bernard Challandes e pret sfidë për të formuar një ekip me lojtarë që luajnë e shkëlqejnë në klubet e tyre.