Dardan Dehari ka udhëtuar për në Pekin për të shkruar histori. Një kapitull e ka shkruar, por nuk do të jetë në gjendje ta kompletojë misionin e tij. Skitari nga Tetova është shqiptari i parë që përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore. Ai mbajti flamurin e Maqedonisë së Veriut në ceremoninë hapëse të LOD “Pekini 2022”. Por Dehari nuk do të jetë në gjendje të garojë në ngjarjen kryesore të sporteve dimërore.
31-vjeçari është lënduar të martën dhe nuk do të jetë në gjendje të garojë. Ai do t’i nënshtrohet menjëherë në operimi. Dehari është dashur të garojë në sllallom dhe në sllallom të madh, gara që në program janë më 13 dhe 16 shkurt.
“Në stërvitjen e sotme në Yanqing, gjatë përgatitjeve për pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike Dimërore, Dardan Dehari është rrëzuar keq dhe ka lënduar rëndë gjurin e djathtë. Pas konsultimit të mjekëve është konstatuar që Dehari ka lënduar ligamentin e përparmë të gjurit të djathtë dhe urgjentisht duhet të operohet. Të kujtojmë që Dardan Dehari, që ka mbajtur flamurin e Maqedonisë së Veriut në ceremoninë hapëse, është dashur të garojë në sllallom dhe sllallom të madh, që në program janë më 13 dhe 16 shkurt. I dëshirojmë Dardanit shërim të shpejtë nga ky lëndim i rëndë dhe kthim të shpejtë në shtigjet e skijimit”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut.
Para udhëtimit për në Pekin, Dehari kishte theksuar se ka realizuar një qëllim jetësor me pjesëmarrjen në Lojërat Dimërore.
“Pas një karriere shumë të gjatë, rreth 20-vjeçare, pas një përkushtimi pa rezervë, punës së palodhshme, uljeve dhe ngritjeve të shumta, është realizuar edhe kjo ëndërr. Duhet të ceket që do të jem shqiptari i parë nga Republika e Maqedonisë së Veriut që do ta përfaqësoj shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore”, kishte thënë Dehari.
Ai ka thënë të martën për KOHËN se lëndimi erdhi në momentin më të keq të mundshëm.
“Lëndim i zakonshëm i sportit të skijimit. Presion i madh në nyje nga shpejtësia e madhe e kështu me radhë. Kishte ardhur momenti që të ndodhë, caktim i Zotit. Nuk është se pati diçka për të specifikuar lëndimin. Nuk jam i pari e as i fundit kështu që me shumë profesionalizëm e kam pritur këtë lëndim, i vetëdijshëm që mund të ndodhë. Fatkeqësisht ndodhi në momentin më të rëndësishëm të karrierës sime. Por planet tona jo gjithnjë përshtaten me planet e Zotit, kështu që duhet t’i pranojmë”, ka thënë Dehari.
“Më dhemb shumë ky fakt, por jeta vazhdon. Shpresoj që sa më shpejt të tejkaloj këtë situatë, si të operimit ashtu edhe të rehabilitimit”, ka shtuar skitari shqiptar.
Në Lojërat Olimpike në Pekin janë edhe tre skitarë shqiptarë. Albin Tahiri e Kiana Kryeziu e përfaqësojnë Kosovën, ndërsa Denni Xhepa e përfaqëson Shqipërinë. Tahiri e Kryeziu kanë garuar të hënën. Tahiri i ka edhe tri gara të tjera, ndërsa Kryeziu e ka mbyllur garimin. Ndërkohë Denni Xhepa garon në sllallom dhe sllallom të madh.