Shefi ekzekutiv i Leganesit, Martin Ortega ka kritikuar ashpër vendimin e Federatës së Futbollit të Spanjës për t’i lejuar Barcelonës transferimin e një lojtari jashtë afatit kalimtar.
Ky vendim, sipas Ortegas, e ka lënë klubin e tij pa një lojtar kyç. Barcelona të enjten transferoi sulmuesin danez Martin Braithwaite nga Leganesi për 18 milionë euro. Federata spanjolle i lejoi Barcelonës të transferojë një sulmues, pasi u konfirmuar se francezi Ousmane Dembele nuk do të mund të luajë këtë stinor shkaku i lëndimit të gjurit.
Leganes, që është nga fundi i renditjes në La Liga, ka humbur dy sulmues kyçë në fillim të vitit. Youssef En-Nesyri kaloi te Sevilla në janar. Sevilla pagoi 20 milionë euro, shifër që figuronte në klauzolën për lirim në kontratën e En-Nesyrit me Leganesin.
“Ne besojmë se ky vendim nuk është fer dhe Barcelona ka përfituar nga ky vendim, ndërsa Leganesi është dëmtuar. Ne duam të ngremë zërin tonë, pasi jemi në një situatë shumë serioze dhe kemi pësuar shumë dëme. Nuk mund të kuptojmë këtë vendim që të lejohet një klub që ka një lojtar të lënduar, të transferojë një sulmues dhe të bartë problemin te një klub tjetër”, ka thënë Ortega, raportojnë mediumet spanjolle, transmeton Koha.net.
Ortega insiston se nuk ka problem me Braithwaiten apo Barcelonën.
“Barcelona ka vepruar në mënyrë korrekte. Na ka informuar të hënën për qëllimin e saj dhe mënyra e vetme për të marrë sulmuesin ishte të paguhej klauzola për lirim. Ne duam të falënderojmë lojtarin që ka qenë profesionist deri në momentin e largimit dhe që ka përformuar në mënyrë të shkëlqyer”, ka thënë Ortega.
Leganesit i ishte refuzuar kërkesa nga Federata e Futbollit të Spanjës për të transferuar një sulmues për të mbuluar largimin e Braithwaitet.