Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leao lë në hije “Kvaran”, në duelin e anësorëve në Champions

Rafael Leao nuk është plotësisht i gatshëm t'i lërë titullin e tij sllallomit Khvicha Kvaratskheliat. Ishte anësori portugez - jo çudia gjeorgjiane e driblimit - ai që doli më i suksesshëm në kalimin e mbrojtësve në përballjen e tyre trejavore, pasi Leao udhëhoqi Milanin duke kaluar Napolin dhe “Kvaran” për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Portugezi, gjithashtu ndihmoi edhe në mposhtjen e liderit të Serie A me rezultatin 4:0 në kuadër të kampionatit italian.

“Ne po shijojmë gjithçka në lidhje me Leaon”, tha trajneri i Milanit, Stefano Pioli, pasi një barazim 1:1 në ndeshjen e dytë të martën u mundësoi kuqezinjve të avancojnë në me rezultatin e përgjithshëm 2:1. “Ne i kemi kërkuar atij që të ndihmonte më shumë në mbrojtje dhe ia doli. Rafa po bëhet kampion dhe kjo është ajo që do të bëhet. Varet nga ai, sepse për dikë me kaq shumë talent dhe aftësi, si teknikisht ashtu edhe fizikisht, është vetëm një çështje se sa përpjekje bën ai”.

Goli vendimtar i serisë së Ligës së Kampionëve erdhi kur Leao mori topin në pjesën e Milanit dhe kaloi përmes mbrojtjes së Napolit përpara se të pasonte në mënyrë joegoiste që Olivier Giroud të shënonte në portën e zbrazët pasi tërhoqi portierin nga pozicioni. Së pari, Leao tejkaloi me shpejtësi Tanguy Ndombelen, më pas ai shmangu kapitenin e Napolit, Giovanni di Lorenzo, dhe qendërmbrojtësin Amir Rrahmani, përpara se të gjente Giroudin. Ishte një vrapim i tij prej 70 metrash që të kujtonte mënyrën se si luante Diego Maradona – në stadiumin që tani mban emrin e legjendës argjentinase.

“Unë gjithmonë përpiqem të marr kundërshtarët dhe të vrapoj kundër tyre. E di që mund të bëj diferencën kështu”, tha Leao. “Nëse nuk jam në gjendje të shënoj një gol, kërkoj shokët e mi të skuadrës. Kështu që kur kalova tre mbrojtësit, pashë Giroudin dhe e dija se ai mund ta përfundonte atë”.

Edhe pse ishte ai që shënoi, Giroud veproi golin sikur po shkëlqente këpucën e Leaos gjatë festimit të golit të tyre.

“Rafa bëri gjithçka,” pranoi Giroud.

Leao gjithashtu nxori një faull që siguroi penallti për Milanin, të cilën Giroud nuk e realizoi pasi tentimin e tij e priti portieri i Napolit, Alex Meret, në pjesën e parë. Ndërkohë “Kvara” pati një penallti të vonuar që ia priti portieri i Milanit, Mike Maignan, dhe nuk mundi të gjente rrugën nga mbrojtësit e Milanit, pavarësisht lëvizjeve të tij magjepsëse me topin. Leao u votua MVP i Serie A sezonin e kaluar kur ai ndihmoi Milanin t'i jepte fund pritjes 11-vjeçare për titull në ligën italiane. Por ai dukej i shqetësuar në fillim të këtij sezoni mes bisedimeve për rinovimin e kontratës që ende nuk kanë përfunduar. Kontrata e tij skadon pas sezonit të ardhshëm.

Edhe Leao, më i miri i ndeshjes Sport Leao, më i miri i ndeshjes

“Jam shumë i lumtur që jam këtu”, tha Leao. “Kam bërë mirë në Serie A sezonin e kaluar dhe doja të tregoja se mund të bëja mirë edhe në Champions. Mendoj se po e bëj këtë”.

Leao gjithashtu shënoi dy herë në fitoren 4:0 të Milanit ndaj Napolit në fillim të muajit dhe u përfshi në golin e Ismael Bennacerit në fitoren 1-0 të Milanit në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Këto paraqitje kujtuan kur Leao asistoi të tre golat në fitoren e Milanit 3:0 ndaj Sassuolos vitin e shkuar për ta siguruar titullin e kampionit. Pra, nuk është çudi që Leao vlerësohet 80 milionë euro edhe pse diskutimet e kontratës me drejtorin sportiv të Milanit, Paolo Maldini janë zvarritur. Me milionat shtesë që vijnë nga UEFA me arritjen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Leao duket se do të jetë lojtari më i paguar te Milani edhe për disa vjet tjera. Leao është vetëm 23 vjeç, ashtu si edhe lojtari tjetër i Milanit, Brahim Diaz, i cili po tregon paraqitje të mira. Milani gjithashtu duhet të vendosë nëse mund të përballojë çmimin prej 25 milionë eurosh që Real Madridi ka vendosur për blerjen e plotë të Diazit, i cili është në vitin e tij të tretë të huazimit tek ekipi italian. Për momentin, vendimet e kontratës mund të presin.

“Si të gjithë lojtarët në këtë klub, ne po ëndërrojmë të fitojmë Ligën e Kampionëve”, tha Leao. “Ne jemi shumë afër”.