Lazio dhe Sevilla, janë skuadrat që janë futur në garë për transferimin e Xherdan Shaqirit këtë verë, kanë njoftuar të hënën mediumet angleze. Mësohet se Shaqiri do të largohet nga Liverpooli pas përfundimit të sezonit aktual për të vazhduar karrierën në një ekip tjetër, ku do të kishte minutazhë më të madhe.
Kartoni i Shaqirit, vlerësohet rreth 15 milionë euro dhe Lazio e Sevilla kanë shprehur interesim për shërbimet e tij. Në fakt, këto dy skuadra e kanë kërkuar Shaqirin edhe para fillimit të këtij sezoni por që Liverpooli nuk e lejoi largimin e tij. 29-vjeçari këtë edicion ka pasur telashe me lëndimet por edhe nuk ka pasur minutazhë të madhe te Liverpooli. Ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat. Shaqiri ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2023 kurse karrierë ka bërë edhe te Stoke City, Interi, Bayerni e Baseli.