Xhudistja Laura Fazliu nuk ka arritur rezultatin e synuar në turneun Grand Prix, që po mbahet në Tel Aviv.
Fazliu garoi të premten në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa u ndal në luftën e parë. Ajo pësoi nga rusja Ekaterina Valkova, që realizoi “Waza-ari”.
Në të vërtetë, Laura, për herë të parë, po testohet në nivel të lartë te senioret. Ajo po shpreson që të arrijë në zonën e normës olimpike deri në fund të majit, transmeton Koha Ditore.
Për këtë i duhen rezultate të mëdha, në gara të mëdha. Laura Fazliu është 19-vjeçare, ndërsa vitin e kaluar fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane te junioret.
Në Tel Aviv, të enjten kanë garuar Nora Gjakova, Erza Muminoviq e Flaka Loxha. Gjakova fitoi medalje të bronztë, ndërsa Muminoviq e Loxha u ndalën në luftërat e para.
Edhe ato janë në fillim të karrierës si seniore. Gara e ardhshme për ekipin e Kosovës në xhudo do të jetë Grand Slami i Parisit, që njihet si gara më e famshme e xhudos.
Kjo garë mbahet pas dy javësh, ndërsa Kosovën pritet ta përfaqësojnë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Laura Fazliu.