“Unë jam ukrainas! Paqe për Ukrainën! Ndaleni luftën!”. Kështu ka shkruar Yaroslav Rakitskiy në “Instagram”, pasi Ushtria ruse nisi pushtimin e vendit të tij.
Ishte postimi i tij i parë në gjuhën ukrainase, pasi ishte mësuar të komunikojë me përcjellësit e tij në gjuhën ruse.
Profili, që përmban fotografi të panumërta nga jeta dhe karriera e Rakitskiyt, që atëherë është bërë privat – një lëvizje jo shumë e zakontë për një yll të futbollit.
Mbrojtësi 32-vjeçar pritej të startonte për Zenitin rus javën e kaluar në ndeshjen e Ligës së Evropës në Betis. Por mbeti në stol.
Trajneri Sergey Semak ka thënë se forma e dobët është arsye për vendimin. Rakitskiy nuk luajti për Zenitin ndaj Rubin Kazanit të hënën, pasi kampionati i Rusisë rifilloi pas pushimit dimëror. Klubi tha se lojtari nuk ishte i përgatitur.
Edhe
Nga Ukraina e shkatërruar nga lufta në hero të minutës së 98-të kundër Realit
Ishte plotësisht e qartë se e vërteta ishte ndryshe. Të mërkurën Zeniti njoftoi se mbrojtësi ishte larguar nga klubi.
“Për shkak të situatës së vështirë familjare, lojtari kërkoi që kontrata e tij të përfundojë para kohe”, shkruan në komunikatën zyrtare të Zenitit të St. Petersburgut.
“Ne duam ta falënderojmë Yaroslavin për kohën e tij në St. Petersburg dhe për qasjen profesionale dhe pasionante ndaj lojës. Ne sinqerisht i dëshirojmë Yaroslavit dhe familjes së tij çdo të mirë dhe shpresojmë ta takojmë atë në fushën e futbollit”.
Situata dëshpëruese
Lajmi për largimin e tij nuk ishte i papritur. Rakitskiy e gjeti veten në një situatë dëshpëruese. Vendi i punëdhënësit të tij kishte nisur pushimin e atdheut të tij.
Historia e tij nxjerr në pah kompleksitetin e konfliktit ruso-ukrainas. Tragjedia është absurde dhe e palogjikshme.
Për shumë dekada Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Nuk ka pasur kufi në mes të njerëzve në Rusi dhe Ukrainë. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik la shumë rusë në Ukrainë dhe shumë ukrainas në Rusi.
Për shembull, trajneri i Zenitit, Sergey Semak. Ai ishte kapiten i Rusisë në kampanjën historike në “Euro 2008”, ku Rusia arriti në gjysmëfinale. Ai po ashtu ka shkëlqyer për CSKA Moskën, Rubin Kazanin dhe Zenitin. Si trajner ka tre tituj të kampionit të Rusisë deri më tani.
Por ai është i lindur në Ukrainë dhe prindërit e tij ende jetojnë atje. Njëjtë si shumica e familjarëve të tij. A është ai rus? A është ukrainas?
Është e pamundur për këdo tjetër, pos për Semakun që ta thotë. Ai do ta kuptonte situatën e Rakitskiyt shumë mirë.
Rakitskiy është i lindur në pjesën lindore të Ukrainës, në një familje rusishtfolëse në vitin 1989, pak para se Bashkimi Sovjetik të shpërbëhej.
Pasi prindërit e tij u ndanë në vitet 1990-ta, babai i lojtarit u martua sërish dhe u vendos në St. Petersburg, ku Yaroslavi gjithnjë ishte i mirëpritur. Qyteti u bë shtëpi e dytë e tij.
Shtëpia e parë ishte Donetsku, ku ai iu bashkua Akademisë së Shakhtarit në moshën 13-vjeçare. Që nga fillimi ishte vlerësuar prej më të talentuarve.
Shkëlqimi në Ukrainë
Në vitin 2009 ai u promovua në ekipin e parë nga Mircea Lucescu, që kishte dëshirë t’i aktivizonte brazilianët në mesfushë dhe sulm, por mbrojtjen ua besonte ukrainasve.
Shpejt pushtoi zemrat e tifozëve të Shakhtarit. Ishte djalë i qytetit, një prodhim i Akademisë dhe që luante me stil të hatashëm.
Rakitskiy është mbrojtës i fuqishëm qendror, që dëshiron betejat fizike. Në të njëjtën kohë është shumë elegant me topin dhe është në gjendje të bëjë pasime të gjata e të sakta me të majtën magjike. Gjuajtjet e tij nga distanca janë të shkëlqyera dhe ai shpejt u bë specialist i goditjeve standarde.
Një yll lindi dhe Rakitskiy shpejt u bë prej lojtarëve më të popullarizuar të Shakhtarit, duke fituar pesë tituj rresht në fillim të karrierës.
Shumë klube të huaja shprehën interesim për të firmosur me mbrojtësin gjatë asaj kohe. Por ai e donte Donetskun dhe nuk dëshironte të largohej. Nuk u largua derisa i gjithë klubi u detyrua ta bënte këtë, në vitin 2014. Klubi u zhvendos në Kiev, pasi ishte e pasigurt të qëndronte në Donetsk.
Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, separatistët nisën aktivitetet e tyre në Donetsk dhe Luhansk, ndërsa filloi edhe lufta civile. Ishte koha kur jeta ndryshoi tërësisht dhe i gjithë vendi nuk ishte i njëjtë më.
Edhe
Zinchenko i gatshëm të heqë dorë nga futbolli për t’iu bashkuar luftës
Papritur regjimi rus u bë armik dhe krenaria kombëtare ishte shumë më e rëndësishme se më parë. Njerëzit detyroheshin të zgjidhnin njërën anë, edhe nëse nuk dëshironin ta bënin këtë.
Rakitskiy ishte ylli i dashur i ekipit nacional dhe deri në vitin 2014 askush nuk brengosej që ai nuk e këndonte himnin. Më pas konflikti i armatosur nisi, çështja u bë e rëndësishme dhe refuzimi i tij për ta intonuar himnin shkaktoi reagime të ashpra.
Fishkëllimat e tifozëve dhe largimi nga përfaqësuesja
Mbrojtësi, që asnjëherë nuk ka dashur të flasë për politikën dhe ka mbajtur arsyet për vete, nisi të fishkëllehej nga tifozët. Bashkëlojtarët u munduan ta mbrojnë. Portieri veteran, Andriy Pyatov, tha: “70 për qind e lojtarëve nuk e këndojnë himnin dhe kjo ishte irrelevante”.
Kjo nuk ndihmoi shumë. Tifozët e trajtuan Rakitskiyn si jo besnik, jo mjaftueshëm patriot.
Kjo ishte pak në krahasim me vendimin e tij që të kalojë te Zeniti në fillim të vitit 2019.
I lodhur nga trajtimi që kishte dhe i interesuar për të luajtur në një ligë më të madhe për një pagë më të mirë, ndërsa jetonte pranë babait të tij, ai pranoi ofertën për të nënshkruar për tre vjet e gjysmë me klubin që për pronar e ka “Gazpromin”, korporatën shtetërore ruse me lidhje të forta me Vladimir Putinin.
Disa ukrainas e vlerësuan lëvizjen e tij një akt tradhtie. Reagimi në rrjetet sociale ishte i ashpër, por nuk u ndal me kaq. Rakitskiy u hoq menjëherë nga përfaqësuesja dhe emri i tij u fshi nga faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Ukrainës.
“Nuk dua të merrem me politikë, por e dija se çka të pres”, tha ai në shkurt të vitit 2019. “I kam kuptuar të gjitha dhe megjithatë mora vendimin. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur. Unë me të vërtetë shpresoj që trajneri i Ukrainës, Andriy Shevchenko, të zgjedhë kë të thërrasë dhe jo disa politikanë. Le të presim e të shohim. Ata mund të më ftojnë sërish”.
Te Zeniti, Rakitskiy takoi Anatoly Tymoshchukun, ish-yllin e Shakhtarit dhe një nga futbollistët më të mirë ukrainas të gjeneratës së tij. Ai e përfaqësoi shtetin 144 herë dhe është bindshëm lojtari me më së shumti paraqitje në histori. Ukrainasit ishin të lumtur për të kur e fitoi Kupën UEFA në vitin 2008 me Zenitin, por çdo gjë ndryshoi në vitin 2014. Tymoshchuk, po ashtu, u pa si tradhtar në vendin e tij kur u transferua te klubi i “Gazpromit” si asistent-trajner në vitin 2017.
Rakitskiy u mundua të krijojë marrëdhënie më të mira me ukrainasit që e pëlqenin atë.
“Populli rus dhe ukrainas janë vëllezër”, ka shkruar ai njëherë në “Instagram”. Por përgjigjet ishin shumë abuzuese. Në fund të vitit 2019 ai njoftoi për largimin nga përfaqësuesja e Ukrainës.
Në Zenit ai ishte i dashur dhe i respektuar. Tifozëve u pëlqente stili i tij pasionant. Ai është lojtar që jep çdo gjë në fushë. Pasimet e tij ishin veçanërisht të rëndësishme për taktikën e trajnerit Semak. Ai solli forcë dhe imagjinatë në ekipin që u bë dominues në skenën vendore ruse. Zeniti fitoi tre tituj rresht me Rakitskiyn në përbërje.
Vetëm tifoz në Evropian
Me formën që shfaqte e meritonte një ftesë në përfaqësuese, por mbeti jashtë. Ai e përcjelli Evropianin e vitit të kaluar si tifoz.
“Është e dhimbshme. Sa herë që shikoi djemtë duke luajtur, dua të jem atje me ta. Por kështu e ka jeta. Nuk mund të ndryshoj asgjë. E vërtetë, nuk e kam kënduar himnin, por ka pasur arsye për këtë. Kjo nuk do të thotë se nuk jam patriot. Unë e dua Ukrainën. Unë gjithnjë kam bërë më të mirën kur kam përfaqësuar ekipin nacional. Disa njerëz shpikën tregime për mua, por nuk më intereson çka thonë ata”, kishte thënë Rakitskiy.
Nga njëra anë ishte e kuptueshme pse Federata e Ukrainës mori vendim politik kundër Rakitskiyt. Por Shevchenko fliste rusisht me lojtarët e tij. Sipas disa raportimeve, kjo ishte një nga arsyet që nuk iu vazhdua kontrata pas “Euro 2020”.
Çështja është e vështirë dhe e dhimbshme për të gjithë të përfshirët. Një konflikt i armatosur në Donbas, i nxitur nga Rusia, ka vazhduar për tetë vjet. Megjithatë, askush nuk ka pritur që do të vinte te një pushtim i plotë nga Putini, duke lënë kështu Rakitskiyn dhe të tjerët në një situatë vërtet të vështirë.
Në fillim të muajit shkurt ai ishte ende duke e negociuar kontratën e re me Zenitin. Klubi shprehu interesim për ta mbajtur edhe për dy vjet të tjerë. Rakitskiy donte një kontratë edhe më të gjatë. Tani, papritur, çdo gjë duket e parëndësishme. Ai është larguar nga klubi para përfundimit të marrëveshjes ekzistuese.
Tifozët në St. Petersburg reaguan me zhgënjim të madh. Tifozët rusë janë të trishtuar kur shohin një nga lojtarët më të mirë të skuadrës që largohet. Por, edhe ata e kuptojnë situatën.
Edhe
Për Shakhtarin, paraqitja në Champions është detyrim ndaj Ukrainës
Nuk ka dyshim se shumica e tyre do të donin të ndryshonin klimën politike dhe të ndalnin luftën, ashtu siç kërkoi Rakitskiy. Por janë të pafuqishëm.
Njerëzit në vendet që tradicionalisht janë parë si vëllazërore, tani janë në një situatë të pamundur. Fati i Rakitskiyt është vetëm një shembull i tillë.