Stefan Lainer e ka mposhtur kancerin e nyjave limfatike dhe do t’u rikthehet stërvitjeve të plota me skuadrën e Borussia Moenchengladbachut të martën, ka njoftuar të hënën “Bild”.
Fillimisht ai do të integrohet pjesërisht me pjesën tjetër të ekipit, por ngarkesa e punës do të rritet në mënyrë të vazhdueshme derisa të jetë i gatshëm për lojë. Bazuar në këtë, kthimi i Lainerit në fushë do të bëhet në fund të muajit të ardhshëm, kur pritet të luajë për Gladbachun. Ky është një lajm shumë i mirë për ekipin nga Bundesliga gjermane, duke pasur parasysh se Lainer ka mposhtur sëmundjen me të cilën është diagnostikuar në verë. Lajmin e kthimit të 31-vjeçarit në stërvitje e ka mirëpritur edhe trajneri i Gladbachut, Gerardo Seoane.
“Është një lajm i mirë për lojtarin, ekipin dhe klubin. Jemi jashtëzakonisht të lumtur edhe për familjen e tij”, ka thënë Seoane.
Mbrojtësi i krahut të djathtë duket se me sukses e ka kompletuar terapinë që e nisi në muajin korrik. Në fakt një ekzaminim përfundimtar tregoi se terapia e kryer në Lainer kishte çuar në qëllimin e dëshiruar dhe se kanceri i nyjave limfatike mund të kurohej.
“Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe gjithashtu të lehtësuar që Stevie Lainer ka fituar betejën kundër kësaj sëmundjeje. Kjo fitore na bën shumë të lumtur. Jemi të lumtur për Stevien dhe familjen e tij”, tha Roland Virkus, drejtor sportiv i Gladbachut. “Fakti që ai tani mund të kthehet në ekip dhe të shohë djemtë e tjerë rregullisht është një hap i rëndësishëm për të ardhmen. Në të njëjtën kohë ne po ia japim atij kohën që i duhet për t'u rikthyer plotësisht”.
Edhe Lainer me padurim pret të bashkohet me ekipin në stërvitje. Ai ishte në gjendje të punonte rregullisht për formën fizike me trajnerë atletikë gjatë terapisë së tij disamujore në qendrën stërvitore të klubit, shoqëruar me monitorim të afërt mjekësor. Si rezultat Lainer ishte në gjendje të mbante një gjendje të mirë fizike.
“Jam shumë i lumtur që jam në gjendje të përqendrohem plotësisht në futboll përsëri dhe të stërvitem së bashku me ekipin," thotë Stefan Lainer. "Javët dhe muajt e fundit kanë qenë shumë sfidues. Jam shumë mirënjohës që kam marrë kaq shumë mbështetje nga familja, miqtë, klubi dhe tifozët gjatë kësaj kohe. E gjithë kjo më ka dhënë forcë”.
Lainer është pjesë e Gladbachut prej vitit 2019 kur iu bashkua nga Salzburgu i Austrisë. Me ekipin gjerman ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Deri më tani Lainer ka regjistruar 102 paraqitje në kampionatin e Gjermanisë, duke shënuar katër gola dhe bërë nëntë asistime.
Lainer ka edhe 38 ndeshje të luajtura dhe dy gola të realizuar me Përfaqësuesen e Austrisë.