Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Laboratori psikologjik” prapa lavdisë së Milanit

Franco Baresi, Roberto Donadoni, Roberto Baggio. Këta emra janë të lidhur me vitet e lavdisë të skuadrës së Milanit. Ata janë gdhendur në kujtesën e çdo tifozi italian që dëshmoi humbjen me penallti të përfaqësueses italiane në kampionatet botërore 1990 dhe 1994.

Të tre folën për traumën që ndien për shkak të dështimit nga pika e bardhë. Të tre kërkuan ngushëllim në “Mind Room”, laboratorin e parë psikologjik të futbollit italian.

I mbështetur nga Silvio Berlusconi dhe i përshëndetur nga një sërë trajnerësh të Milanit, duke filluar nga Arrigo Sacchi te Carlo Ancelotti, “Mind Room” ndihmoi në krijimin e një suksesi të jashtëzakonshëm pasi kuqezinjtë fituan 21 trofe gjatë 23 vjetëve të funksionimit të këtij laboratori që nga viti 1986.

Duke kombinuar terapinë për lehtësimin e stresit me trajnimin kognitiv dhe neuroshkencën, ndikimi i laboratorit do të ndihej deri te Chelsea, ku themeluesi i tij ndërtoi një strukturë të ngjashme në vitin 2009 tek ekipi anglez. Ishte bërë një rrugë e gjatë qëkur u hartua plani për themelimin e këtij laboratori, në një takim midis një kryeministri të ardhshëm italian dhe një kampioni amator të karatesë. Doktori Bruno Demichelis kishte qenë adhurues i arteve marciale që nga mosha e adoleshencës. Në vitin 1971, në moshën 24-vjeçare, ai u mund në një garë ndërkombëtare të karatesë nga një kundërshtar japonez që nuk ishte fare në mesin e favoritëve. Ai luftoi për të përpunuar humbjen dhe u kthye në shtëpi në Itali duke kërkuar përgjigje.

“Nuk ishte një problem teknik apo një problem fizik; unë isha shumë në formë dhe shumë i stërvitur. Më në fund një mik imi më tha: ‘A është problem mendor?’”, ka kujtuar Demichelis. “E kuptova se kisha stërvitur me japonezët për aq shumë kohë dhe ata nuk ishin më thjesht instruktorë apo mjeshtër për mua. Ata ishin heronjtë e mi, por në aspektin psikologjik të gjithë mund t’i mposhtin heronjtë e tyre”.

Pyetjet e Demichelis nxitën një interes për psikologjinë. Ai përfundoi doktoratën në këtë temë dhe gjeti punë si konsulent në “Fininvest”, një kompani mediatike në pronësi të Berlusconit.

Në shkurt të vitit 1986, Berlusconi bleu skuadrën e Milanit. Duke ndier një mundësi, Demichelis organizoi një takim me pronarin e ri të klubit. Ishte një diskutim që do t'ia ndryshonte jetën. Demichelis ishte e drejtpërdrejtë duke i thënë Berlusconit se ai me siguri i ka parë përfitimet e mbështetjes psikologjike në botën e biznesit. Kështu që i kërkoi që atë mbështetje psikologjike ta zbatonte edhe në futboll. E përgjigjja e Berlusconit ishte po aq e drejtpërdrejtë.

“Pronari më pyeti nëse isha tifoz i Milanit”, thotë Demichelis, tani 74 vjeç. “Unë i thashë që nuk jam dhe ai u tërhoq pak. Më pas më pyeti nëse jam tifoz i Interit dhe sërish i thashë jo. Kështu që para se të bënte pyetjen e tretë, i thashë që nuk jam tifoz me asnjë skuadër”.

Pas një takimi dy orë e gjysmë, Demichelis u emërua koordinator shkencor i Milanit, duke u bërë psikologu i vetëm në Serie A. Pas një fillimi të suksesshëm në klubin që e pa atë të fitonte mbështetjen e trajnerit Arrigo Sacchi, shërbimet e Demichelis ishin shumë të kërkuara. Duke përfituar nga mundësia, ai siguroi investim për një laborator psikologjik me bazë në Milanello, qendra stërvitor e klubit. Aty edhe lindi “Dhoma e Mendjes” apo “Mind Room”.

Ky laborator i lejoi Demichelisit të drejtonte seancat në grup, duke kënaqur oreksin në rritje të skuadrës së Milanit për mbështetje psikologjike. Në fakt laboratori veproi si një vend i shenjtë për stërvitje mendore. Grupe deri në tetë anëtarë të ekipit të parë - të ulur në karrige moderne të gravitetit zero - u lidhën me pajisje duke përfshirë makina poligrafike, të përdorura për të monitoruar tregues të tillë si presioni i gjakut dhe frekuencat e frymëmarrjes. Një ndarje xhami ndante lojtarët dhe Demichelisin, i cili po kërkonte shenja fiziologjike të gjendjes mendore të një lojtari. Për shembull, nëse një lojtar thoshte se ndihej i frenuar ose i mungonte besimi për shkak të një tendosjeje muskulore, Demichelis do të kryente një test elektromiogram për të matur aktivitetin elektrik muskulor. Leximet i mundësuan atij të përcaktojë sasinë e kushteve të tilla si “shtrëngimi” pas lojës dhe të marrë masa korrigjuese proporcionale, duke përfshirë stërvitjen e frymëmarrjes të kalibruar me kujdes. Duke vepruar kështu, “Mind Room” jo vetëm që po ndihmonte rikuperimin fizik dhe performancën, por gjithashtu po mbështeste zhvillimin e karakteristikave psikologjike si besimi.

Demichelis përdori gjithashtu rezultatet nga testet e “Mind Room” për të shpikur ushtrime të trajnimit me elektroda, të cilat kur vendosen në lëkurën e kokës së një personi mund të monitorojnë aktivitetin elektrik të trurit.

Duke parë se si sillen neuronet e një individi, bëhej e mundur zgjidhja e problemeve. Kjo lloj terapie ishte krijuar për të ndihmuar lojtarët që nuk kishin besim te vetja, gjë që mund të ndikonte negativisht në situatat me presion të lartë. Baresi, Baggio dhe Donadoni ishin mes të trajtuarve.

“Ata pranuan se para se ta godisnin topin e kishin në mendje dështimin. Ndiheshin të hutuar dhe për këtë arsye dështuan. Laboratori psikologjik i ndihmoi shumë për ta marrë veten”, shtoi Demichelis.

Përtej lehtësimit të stresit dhe stërvitjes, “Mind Room” u fokusua gjithashtu në përmirësimin e shpejtësisë së reagimit të lojtarëve duke përdorur testet e kohës së përgjigjes. Pjesëmarrësve iu paraqitën dy butona dhe një palë llamba, duke klikuar butonin e majtë ose të djathtë nëse llamba përkatëse ndizet. Kjo u pa edhe si mënyrë te Milani për t’ua zgjatur karrierën lojtarëve si Alessandro Costacurta e Paolo Maldini, të cilët luajtën deri në moshën 41-vjeçare.

“Nuk mund t'i stërvitësh lojtarët 37-vjeçarë që të bëhen më të shpejtë fizikisht, por mund t'i stërvitësh ata që të bëhen më të shpejtë në analizimin e situatave”, thotë Demichelis. “Nëse ata mund t'i përpunojnë të dhënat më shpejt, ata mund të marrin vendime më të shpejta. Kjo është arsyeja pse ne ishim në gjendje t'i mbanim lojtarët në moshë më të shtyrë”.

Clarence Seedorf ishte mishërimi i këtij morali. I ashtuquajtur “Profesor” nga shokët e skuadrës, Seedorf vizitonte rregullisht “Mind Room”, i cili shihej si “stacioni” psikologjik brenda një “qarku” më të gjerë fizik dhe mendor, i njohur ndryshe si Laboratori i Milanit. Përkushtimi i holandezit ndaj vetëzhvillimit do të shpërblehej në më shumë se një mënyrë.

“Drejtori i përgjithshëm i laboratorit u mahnit me Seedorfin. I tha atij se përkundër që ishte 31-vjeçar, në aspektin e formës fizike ishte 26 vjeç. Sipas tij, mosha biologjike e Seedorfit ishte shumë më e re. Kjo bëri që Seedorfi ta marrë rezultatin nga laboratori dhe kërkoi nga Milani t’ia zgjaste kontratën edhe për katër vjet, gjë që klubi edhe e bëri”, kujton Demichelis.

Fiziologjia sfiduese e Seedorfit ndoshta u ndihmua nga kontrollet e përditshme gjashtëminutëshe shëndetësore të paraqitura nga Demichelis, si pjesë e rolit të tij si koordinator shkencor i klubit. Duke monitoruar ndryshimet në rezultatin e një lojtari, Demichelis ishte në gjendje të tregonte ndjeshmërinë e mundshme ndaj lëndimit dhe të aplikonte një mënyrë trajtimi. Sipas Demichelis, metodat që ai prezantoi për të ndihmuar kontribuuan që Milani të reduktonte lëndimet për 90 për qind gjatë kohës së tij në klub.

“Unë i kisha lojtarët në anën time, sepse kishim përkrahjen e klubit. Po ashtu na përkrahte edhe trajneri, i cili besonte në filozofinë tonë”, thotë Demichelis.

Largimi i Ancelottit dhe Demichelis në vitin 2009 i dha fund përdorimit të “Mind Room” në Milanello, por dyshja italiane krijoi një bazë ekuivalente në stadiumin “Stamford Bridge” pasi iu bashkua Chelseat. Portieri Petr Cech ishte njëri prej lojtarëve që vazhdimisht e vizitonte laboratorin dhe pati një karrierë të gjatë pavarësisht lëndimit të vështirë që e pësoi në kokë. Ancelotti, ndërkohë, ka folur për vlerën që Demichelis i shtoi Chelseat “me përvojën e tij në Laboratorin e Milanit”. Vlerësimi duket se është bërë edhe nga lojtarët me të cilët ka punuar Demichelis.

Në vitin 2014, pas emërimit të tij si trajner i Milanit, Seedorf joshi ish-kolegun e tij përsëri në “San Siro”. Ribashkimi ishte jetëshkurtër – me Seedorfin që u largua pas katër muajsh - por trashëgimia afatgjate e “Mind Room” është e vendosur mirë. Aktualisht Milani është lider në Serie A dhe po lufton për ta kthyer titullin e kampionit pas 11 vjetësh në “San Siro”.

Artikuj të ngjashëm