Lifestyle

Studimi që zbulon se si truri i tifozëve ndikohet nga fitoret dhe humbjet

Tifozat Kuq e Zi

A e keni parë ndonjëherë një tifoz futbolli që humbet toruan kur skuadra e tij fiton apo humb një ndeshje të madhe? Shpesh ata thonë se nuk e kontrollojnë dot veten, se dashuria për futbollin i bën të reagojnë në mënyra të çuditshme.

Një studim i ri neurologjik, i botuar në revistën Radiology, ka zbuluar se zona të caktuara të trurit aktivizohen kur tifozët shohin skuadrën e tyre të luajë, duke nxitur emocione të forta, si pozitive, ashtu edhe negative, raportoi të mërkurën “Euronews”.

Studiues nga një universitet në Kili përdorën rezonancën magnetike funksionale (fMRI) për të analizuar aktivitetin e trurit të 60 tifozëve meshkuj. Ata u ndanë në tre grupe – spektatorë, tifozë të zakonshëm dhe fanatikë – në bazë të pasionit të tyre për futbollin.

Gjatë testimeve, pjesëmarrësit panë video me gola nga ndeshje ku përfshiheshin skuadra e tyre e preferuar, një skuadër rivale ose një skuadër neutrale. Fanatizmi u mat përmes një shkalle që përfshin 13 tregues, si ndjenja e përkatësisë apo prirja ndaj dhunës.

Skanimet treguan se kur skuadra e preferuar shënonte kundër rivalëve, aktivizoheshin zonat e trurit që lidhen me shpërblimin, të njëjtat që reagojnë ndaj ushqimit, seksit apo drogës.

Por kur skuadra pësonte humbje, ulej aktiviteti në një pjesë të trurit që kontrollon emocionet (e quajtur dorsal anterior cingulate cortex).

“Rivaliteti e riformëson balancën mes vlerësimit dhe kontrollit në tru për pak sekonda,” shpjegon autori kryesor i studimit, Francisco Zamorano, profesor në Universitetin San Sebastian në Santiago të Kilit.

Efekti ishte më i fortë te tifozët më fanatikë, të cilët e ndiejnë suksesin e skuadrës si pjesë të identitetit të tyre personal. Kjo, sipas studiuesve, shpjegon pse njerëz normalë e të arsyeshëm mund të sillen si persona krejt ndryshe gjatë ndeshjeve.

Nga futbolli te politika – truri reagon njësoj ndaj fanatizmit

Zamorano theksoi se këto mekanizma nuk kufizohen vetëm te futbolli: truri reagon në mënyrë të ngjashme edhe në fanatizmin politik apo fetar. Ai përmendi si shembull sulmin ndaj Kapitolit në SHBA më 6 janar 2021, ku fanatizmi politik çoi në sjellje të dhunshme.

Sipas tij, njerëzit që kanë më pak kontroll emocional tregojnë “shenja klasike të mungesës së kontrollit kognitiv”, të njëjtën gjë që u vërejt në studim.

Si mund të parandalohet fanatizmi?

Ndikimi i mjedisit mund të ndihmojë në shmangien e fanatizmit ekstrem.

“Cilësia e kujdesit në fëmijëri, stresi dhe mësimi social formojnë mënyrën se si truri balancohet mes emocioneve dhe kontrollit. Prandaj, mbrojtja e fëmijërisë është mënyra më e fuqishme për ta parandaluar fanatizmin në të ardhmen”, është shprehur Zamorano.