Lou Williams sërish u aktivizua nga bankina dhe sërish realizoi gjuajtje të mëdha rresht. Patrick Beverly po ashtu shkëlqeu, siç bëri edhe Danilo Gallinari.
LA Clippers nxori kampionin në fuqi Golden State Warriorsin nga zona e komoditetit, duke e mposhtur në lojën e vet me shumë energji në tërë fushën, ndërsa zgjati serinë e plejofit dukshëm më gjatë se që është pritur.
Williams mbylli ndeshjen me 33 pikë e 10 asistime, ndërsa Golden State në mënyrë jokarakteristike huqi gjuajtje të shumta në pjesën e dytë dhe nuk arriti të ndalte sulmet e kundërshtarit, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Kështu që Clippersi ka zgjatur serinë e raundit të parë të plejofit në NBA, duke triumfuar 129:121 të mërkurën mbrëma në udhëtim në ndeshjen e pestë. Golden State është duke kryesuar me 3:2 në fitore. Kevin Durant të mërkurën ishte më i miri te Golden State, duke realizuar rekord të karrierës për ndeshje të plejofit - 45 pikë.
“Nuk dua të entuziazmohem së tepërmi. Golden State ende kryeson 3:2, por thjesht kam adhuruar mënyrën se si luajtëm, vërtet e them këtë”, ka thënë trajneri i Clippersit, Doc Rivers. “Ne kemi folur vetëm që të jemi vetja. U thashë lojtarëve të mi se kanë qenë vetvetja në këtë seri”.
Clippers në këtë seri të plejofit bëri kthesën më të madhe në histori të një ndeshjeje të plejofit. Pikërisht në “Oracle Arena” arriti të përmbyste disavantazhin prej 31 pikëve dhe të triumfonte në ndeshjen e dytë të serisë.
Ndeshja e gjashtë do të luhet të premten në Los Angeles. Beverly ishte ndër më të mirët te Clippersi të mërkurën, duke shënuar 17 pikë e 14 kërcime, ndërsa bëri mbrojtje të fortë, veçanërisht ndaj Klay Thompsonit.
“Mendoj se Patrick Beverley doli dhe na shkatërroi. U fut me aq shumë energji në lojë”, ka thënë trajneri i Golden Statet, Steve Kerre.
Houstoni me James Hardenin e pret fituesin e kësaj serie në raundin e dytë. Por Clippersi nuk e ka ndërmend të dorëzohet.