Kampionia e Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave, Drita ka nisur të përforcohet për edicionin e ardhshëm.
Drita të mërkurën ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me lojtaren nga Turqia, Ipek Vural që luan në pozitën e pasueses dhe ka përvojë te madhe.
Vural në edicionin e fundit, ishte pjesë e ekipit nga Kosova, M-Technologie me të cilin e fitoi Kupën e Kosovës.
“KV Drita zgjidh problemin në pozitën kryesore, atë të pasueses. Ekipit tonë i bashkëngjitet pasuesja me përvojë të madhe nga Turqia, Ipek Vural. Ipek i bashkohet Dritës pas një përvoje të madhe ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Dritës.
Vural (182 cm), ka përvojë të madhe dhe gjatë karrierës ka luajtur në Turqi, Maqedoni të Veriut e Shqipëri. Vural si profesioniste ka nisur në vitin 2007 te skuadra Iller Bankasi për të vazhduar te Nilufer Belediye, Rota Koleji, Çanakkale Belediye, Gazi Universitesi, Idomanocagi, Bolu Belediyespor, Pursaklas Belediyesi, Balikesir BBSK, Karshiyaka Izmir, Kahramankazan, Astor Voleybol, Rabotniqki e Huqi Volley.
Krahas turkes Vural, Drita është përforcuar edhe me lojtaren tjetër te M-Technologies, Loresa Avdylin që ka firmosur kontratë njëvjeçare me ekipin nga Gjilani.