Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kurti uron për sa më shumë medalje nga ekipi mesdhetar i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreson që nga Algjeria ekipi i Kosovës të kthehet me sa më shumë medalje.

Kryeministri Kurti është i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të ekipit pjesëmarrës prej 39 sportistëve të Kosovës në Lojërat Mesdhetare që nisin më 25 qershor dhe përfundojnë më 6 korrik.

“Jam i nderuar që jam bashkë me ju para nisjes për në Lojërat Mesdhetare dhe njëkohësisht t’iu uroj rrugë të mbarë dhe suksese. Përkushtimi juaj në punë dhe rezultat është mbresëlënës për të gjithë ne. Rezultatet e arritura në xhudo, karate, boks atletikë nuk janë të rastësishme por si rezultat i punës së palodhshme. Përmes performancës tuaj ndaj rivalëve në fushë, në fund të fundit, është garë ndërmjet Kosovës dhe shtetit tjetër që ata e përfaqësojnë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se prezantimi i fanellës së Kosovës është sa krenari aq edhe përgjegjësi.

“Aq sa është krenari, është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe ju e dini më së miri ta kanalizoni në forcë sportive që të arrini kulminacionin e karrierave tuaj. Po marrim pjesë në 13 sporte të ndryshe dhe uroj që përveç xhudos që jam i sigurt që nuk do të na mungojnë, të arrijmë medalje edhe në sportet tjera”, ka thënë Kurti.