Ballkani, Drita, Prishtina, Llapi, Malisheva dhe Feronikeli kanë mësuar shumicën e kundërshtarëve gjatë përgatitjeve që do t’i zhvillojnë në Turqi këtë muaj. Ekipet e Kosovës do t’i zhvillojnë ndeshjet miqësore me klube të tetë shteteve të ndryshme evropiane. Në Turqi skuadrat kosovare do të përballen me klube nga Ukraina, Kazakistani, Letonia, Danimarka, Çekia, Bullgaria, Sllovakia dhe Hungaria. Por, mund të ketë përballje edhe kundër ndonjë klubi të një shteti tjetër. Në Turqi do të luhet edhe Superkupa e Kosovës, në mes të kampionit Ballkanit dhe fituesit të Kupës, Llapit.
“Nuk ka qenë e vështirë aranzhimi i ndeshjeve miqësore, pasi tashmë edhe klubet e Kosovës janë bërë të njohura për klubet e shteteve te ndryshme. Për mua ka qenë e lehtë, pasi u bë një kohë që merrem me organizimin e ndeshjeve dhe pritjen e klubeve kosovare në Turqi. Bëhet fjalë për klube që luajnë në elitë në shtetet e tyre përkatëse. Është kënaqësi të jem pjesë e organizimit edhe të Superkupës së Kosovës. Do t’u shërbej klubeve, pasi pritet të ketë edhe menaxherë të ndryshëm për t’i përcjellë ndeshjet e klubeve të Kosovës”, ka thënë Amir Prepolli.
Prepolli merret me akomodimin dhe aranzhimin e miqësoreve për klubet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Ukrainës, Danimarkës, Suedisë dhe Kazakistanit që zhvendosen në Antalia të Turqisë për fazën përgatitore.
Ballkani aktualisht i ka të konfirmuar dy kundërshtarë, ndërsa është në pritje të konfirmimit edhe të një kundërshtari tjetër. Ballkani ka të konfirmuar përballjet kundër Kaisarit të Kazakistanit dhe Oleksandriyan e Ukrainës.
Skuadra e Dritës do të përballet me Liptovsky Mikulash të Sllovakisë, Kryvbasin e Ukrainës, Liepajan e Letonisë dhe Randersin e Danimarkës.
Prishtina ka paraparë t’i zhvillojë pesë miqësore në Antalia, ku do të udhëtojë të shtunën, ndërsa aktualisht ka të konfirmuara vetëm katër kundërshtarë. Përballjen e parë Prishtina e ka kundër Siofokut të Hungarisë, përpara se të luajë ndaj ekipit Ceske Budojovice nga Çekia. Ndeshjen e tretë Prishtina e luan kundër skuadrës bullgare, Krumovgrad, kurse të katërtën ndaj Zhetysus së Kazakistanit.
Fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi, ka të konfirmuar vetëm një miqësore deri më tani, ndërsa është në pritje të konfirmimit edhe të dy kundërshtarëve të tjerë. Përballjen e konfirmuar e ka kundër Kyzyl-Zharit të Kazakistanit.
Dy prej tre kundërshtarëve i ka të konfirmuar edhe Malisheva. Ndeshjen e parë e luan ndaj Spartak Varnas të Bullgarisë dhe Chernomoretsit të Ukrainës.
Feronikeli i Ligës së Parë prej tri ndeshjeve që ka paraparë t’i zhvillojë në Antalia një e ka të konfirmuar deri më tani. Do të përballet me Polissyan e Ukrainës.
Në Turqi përgatitjet do t’i zhvillojë edhe skuadra e Dukagjinit.