Mbrojtësi shqiptar i Veronas, Marash Kumbulla ka treguar se futbollisti i Juventusit, Giorgio Chiellini është idhulli i tij.
Kumbulla po ashtu ka thënë se është krenar me ndihmën që ka ofruar Shqipëria për Italinë në situatën e vështirë të krijuar nga përhapja e koronavirusit.
Juventusi është në mesin e klubeve që po interesohet për transferimin e mbrojtësit 20-vjeçar.
“Kur isha më i ri e mbaja një poster të Chiellinit në dhomën time të gjumit”, ka thënë Kumbulla për “Corriere della Sera”, transmeton Koha.net. “Unë gjithmonë e kam admiruar vendosmërinë e tij dhe dëshirën për t’u përmirësuar. Ai është një luftëtar i vërtetë në fushë. Ndërkohë sulmuesi që më ka shkaktuar më së tepërmi vështirësi është Paulo Dybala, për shkak të fizikut dhe karakteristikave teknike që i ka. Ai është si një ecës në litar të ngushtë”.
Kumbulla po ashtu ka thënë se ëndërron që të luajë në Ligën e Kampionëve.
Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama javën e kaluar ka dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Itali, duke ndihmuar Italinë në luftën me koronavirusin.
“Jam krenar me gjestin e kryeministrit Rama që ka treguar në një kohë kaq të vështirë për Italinë, që gjithmonë ka qenë në anën tonë kurdo që kemi pasur nevojë. Unë e falënderoj atë dhe mjekët që kanë ardhur nga Shqipëria”, ka thënë Kumbulla.
Kumbulla është duke u kërkuar nga klube të mëdha evropiane. Ai këtë stinor me Veronan ka luajtur në 19 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Kontrata e tij me Veronan skadon në verën e vitit 2022.