Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka synon të marrë pjesë me gjashtë norma olimpike në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që janë shtyrë për vitin tjetër shkaku i pandemisë së koronavirusit. Nga sporti i xhudos, Kosova është në zonën e pesë normave për olimpiadën e Tokios.
Por Kuka në intervistën dhënë “Sportit Total” ka thënë se pret që edhe xhudistja Laura Fazliu t’i bashkohet pjesës tjetër të ekipit olimpik.
“Momentalisht i kemi pesë norma olimpike, ndoshta kjo shtyrje do të jetë pozite për Laura Fazliut që ka potencial. Normalisht potenciali i garuesve dhe numri i medaljeve të fituar në botëror, kemi shpresë të kthehemi me medalje nga olimpiada, që do të ishte e jashtëzakonshme. Rezultat i jashtëzakonshme do të ishte të mos kthehemi pa medalje. Me këta garues me këtë potencial do të ishte dashur të kthehemi edhe me ndonjë medalje olimpike”, është shprehur Kuka.
Kuka është krenar me të arriturat e sportistëve të tij. Por, ai thotë se Viti 2016 do të mbetet kujtim i bukur për Kosovën. “Në rrafshin sportiv Lojërat Olimpike për trajner e garues, janë diçka tjetër. Por, në rrafshin politik triumfi i Majlindës dhe medalja e bronztë e Norës kanë qenë fitore e jashtëzakonshme. Ka qenë një odise e jashtëzakonshme para se të shkonim. Suksesi nga Majlinda dhe Nora ishte paralajmërim për Rio. Rusia dhe Rio të vitit 2016 do të mbeten në kujtesën e Kosovës, por edhe historik në sportin shqiptar”, ka thënë Kuka.