Sport

Kuka me kritika pasi Kosovës iu shuan gjasat për medalje në Lojërat Evropiane në Poloni

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka reaguar pasi Kosovës i janë shuar gjasat për të fituar medalje në Lojërat Evropiane në Krakow të Polonisë.

Kuka ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku që arriti deri në çerekfinale dhe iu afrua medaljes, mirëpo ka kritikuar paraqitjet e sportistëve tjerë.

Ai ka bërë thirrje që të kthehen “në institucione sportive njerëz me vlera”.

“Komplimente boksieres Sadiku që pati prezantim dinjitoz dhe u afrua te medalja, tjerët ishin shumë larg medaljeve e në anën tjetër nga media të ndryshme e besa edhe institucione sportive u munduan disa rezultate të paraqiten si të mëdha e në anën tjetër ato janë pa vlerë e shumë larg medaljeve! Jepini fund lojës me fjalë, kjo s’na bën nder! Për sinqeritet Ministria edhe KOK-u materialisht po përkrahin më shumë se kurrë sportistët e trajnerët, por rezultatet janë duke munguar. Gjithmonë atje në gara shihen persona që janë zyrtarë, por në fakt kurrkush se kupton në çfarë roli janë dhe pse kanë shkuar kur as sportet e tyre që u përkasin s’janë pjesë e garave! Federata e KOK-u të kujdeset që të afrojë profesionistë nga lamia e sportit për t’i avancuar rezultatet e jo njerëz që në sport janë aksidentalisht! S’po e zgjas më shumë, por të kuptohet drejt gjendja e sportit dhe si të ecet përpara, ktheni njerëz me vlera në institucione sportive!” – ka shkruar Kuka.

Kuka po ashtu ka reaguar për ritmin e ngadalshëm me të cilin po intervenohet pas vërshimeve në Pejë.

“Nga Peja e shkatërruar nga vërshimet në pritje të intervenimit urgjent serioz e që deri tash s’po shihet pos një kamion ose dy me ndonjë eskavator! Peja meriton ndrysh, sidomos lagjja ku janë rritur tri kampionet olimpike!” – shkroi Kuka.