Sport

Kuka kritikon xhudistet e reja: S’do ta fsheh nën tepih mungesën e rezultateve

Distria Krasniqi ka shkëlqyer në garën e parë serioze të vitit. Të premten, kampionia olimpike në xhudo fitoi medaljen e artë në garën Grand Prix të mbajtur në Portugali. Por as për së afërmi shkëlqimin e saj nuk e kishin tri xhudistet e tjera që prezantuan Kosovën në Portugali.

Po të premten, Erza Muminoviq e Flaka Loxha u ndalën në luftërat e para. Të shtunën në luftën e parë u ndal edhe Laura Fazliu.

Erza garoi në kategorinë deri 52 kg dhe u mposht nga portugezja Joana Diogo. Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kg humbi nga italiania Miriam Boi. Kurse Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kg të shtunën pësoi nga francezja Melodie Turpin.

Megjithëse suksesi i Distrisë në një mënyrë ka mbuluar ndaljen e hershme të tri xhudisteve të tjera, trajneri Driton Kuka nuk e ka kapërdirë lehtë. Madje, kritikat ndaj tri xhudisteve të reja i ka bërë publike. Laura, Flaka e Loxha vlerësohen e ardhmja e xhudos kosovare dhe me potencial për të garuar në Olimpiadën e ardhshme.

“Si trajner nuk dua asnjëherë t’i mbyll sytë para paraqitjeve jo të kënaqshme të gjeneratës që po vjen. Në Portugali garuan Erza, Flaka dhe Laura. Dhe performuan larg prej mundësive që i posedojnë. Pritjet për secilën ishin që të hyjnë në zonën e medaljeve, por ndodhi e kundërta, asnjëra nuk ishte në nivelin e duhur. Do t’i hulumtoj shkaqet, të cilat ua kam thënë me qindra herë në stërvitje”, ka shkruar Driton Kuka. Në postimin e tij, trajneri më i mirë i xhudos në botë ka prekur edhe fshehjen, përkatësisht maskimin e rezultateve nga federatat e tjera sportive në vend.

“Unë nuk do t’i fus nën tepih punët që nuk ecin mirë. Kohëve të fundit rezultatet në disa sporte ishin shumë të dobëta dhe federatat e tyre, e besa edhe institucione të tjera, as që tregonin plasmanin. Vetëm kanë thurur lavde për asnjë të arritur”, ka shkruar Kuka.

Ka shumë raste kur rezultatet e sportistëve kosovarë nuk paraqiten të kompletuara nga federatat përkatëse. Për shembull, njoftohet për pikët e fituara në ndonjë garë e jo për renditjen përfundimtare.