Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kthimi në Champions i ofron platformë rindërtimi Manchesterit

Kthimi i Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve është një moment i rëndësishëm e madje edhe historik për tifozët e klubit, pasi “djajtë e kuq” po kërkojnë të mbyllin hendekun ndaj rivalëve Liverpool dhe Manchester City në betejën për supermacinë në Premier League, shkruan AFP. Futbollistët e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer mbajtën nervat dhe arritën që në xhiron e fundit të këtij edicioni të sigurojnë një vend në Champions, falë fitores ndaj Leicesterit me rezultatin 2:0.

Për Manchesterin, që përfundoi në pozitën e tretë në tabelë me 66 pikë, kjo ishte ndeshja e 14-të rresht pa humbje në kampionat.

"Liverpooli dhe City kanë ikur shumë në këto dy sezonet e fundit, kështu që pozita e tretë në tabelë për ne është një arritje shumë e madhe. Mbi të gjitha më gëzon fakti që jemi kthyer në Ligën e Kampionëve”, ka pranuar Solskjaer.

Dallimi i madh në pikë mes Manchesterit dhe Liverpoolit – 33 sosh – është dëshmia më e mirë për hapat që duhet t’i bëjë ekipi nga “Old Trafford” për t’u bërë sërish pretendent për titullin e kampionit të Anglisë. Në fakt, transferimi i mesfushorit portugez, Bruno Fernandes në janar të këtij viti, transformoi gjendjen dhe rezultatet e Manchester Unitedit. Që nga janari asnjë ekip në Angli nuk ka fituar më shumë pikë se Manchester Unitedi.

“Ardhja e Brunos në janar ka bërë diferencën e madhe”, ka insistuar qendërmbrojtësi Harry Maguire, i cili iu bashkua Manchesterit para fillimit të këtij edicioni nga Leicesteri për një shumë rekorde prej 87 milionë eurosh. “Pozita e tretë në tabelë është dashur të jetë synim minimal këtë edicion, por besoj se edicionin e ri do të luftojmë për titullin e kampionit. Kthimi në Ligën e Kampionëve obligon klubin që të përmirësohet edhe më shumë”.

Përfundimi i këtij edicioni në pozitën e tretë duket si i ka blerë kohë të mjaftueshme Solskjaerit për të mbetur në ekip edhe për sezonin 2020/21, duke pasur parasysh se në janar ishte pranë shkarkimit. Tekniku norvegjez tashmë e ka dëshmuar veten të aftë në ndërtimin e një ekipi kundër-sulmues që mund t’i prishë llogaritë e të gjithëve. Manchesteri këtë edicion e ka mposhtur dy herë Chelsean dhe tri herë Manchester Cityn, ndërsa ishte ekipi i vetëm që brenda 36 ndeshjeve të zhvilluara mes marsit të vitit 2019 dhe shkurtit 2020 ia mori një pikë në kampionat Liverpoolit.

Artikuj të ngjashëm