Boksieri kosovar Festim Kryeziu është një nga tetë pjesëmarrësit në turneun që është duke u organizuar nga legjenda e boksit Evander Holyfield, shkruan sot Koha Ditore.
Holyfield, në bashkëpunim me Federatën botërore WBC, ka vendosur të organizojë një turne të kategorisë velter (-66.7 kg) të emërtuar sipas presidentit afatgjatë të WBC-së, Jose Sulaiman. Fituesi i turneut pritet të ketë mundësinë të boksojë për titull bote në këtë federatë të madhe të boksit profesionist.
Kryeziu, që jeton në Gjermani dhe në ringun profesionist njihet si Timo Schwarzkopf, do të garojë përkrah emrave si Felix Diaz nga Republika Dominikane, Chris van Heerden nga Afrika e Jugut, Fredrick Lawson nga Gana, rusit Radzhab Butaev, amerikanit Brad Solomon, portorikanit Derrieck Cuevas dhe kinezit Baishanbo Nasiyiwula.
Çiftet çerekfinale do të bëhen të ditura të mërkurën (sot), ndërsa ato janë caktuar nëpërmjet votave të tifozëve. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).