“Kryemjeshtri” është titulli i librit i promovuar sot në Bibliotekën Universitare të Kosovës kushtuar trajnerit më të mirë në botë në sportin e xhudos, Driton Kuka, me autor Arsim Maxherën.
Roli i trajnerit Kuka në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare u vlerësua lartë nga figura të shquara nga fusha e sportit dhe politikës në vend duke e cilësuar atë si udhëheqësin e sukseseve të njëpasnjëshme që Kosova i ka arritur me anë të sportit të xhudos.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se ky libër do të dëshmojë dhe do të shpërfaq rrugën e gjatë të përshkuar nga trajneri Driton Kuka deri te sukseset kulminante.
Ai tutje theksoi se sporti i xhudos do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të kësaj ministrie dhe të shtetit në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e sukseseve në këtë sport, formulën e të cilave Kuka duhet ta mbaj sekrete përballë shteteve të tjera.
“Përgëzime për autorin e librimit, vepër e madhe, vepër kapitale. Në të gjitha takimet me homologë të shteteve tjera, pyetja e zakonshme që kam pasur është si keni arritur këtë sukses në xhudo. Përgjigja ka qenë nuk e di, e di vetëm Dritoni. Ai e ka formulën, e shpresoj të mos jetë në libër, e pastaj ta përvetësojnë tjerët”, ka thënë ministri i Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Edhe
“Kryemjeshtri” prezantohet në Tiranë, Rama: Nuk është një histori sporti, por më tepër se kaq
Nga ana tjetër, presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, duke e falënderuar autorin për librin e botuar, tha se medaljet e shumta, në mesin e të cilave tri të arta olimpike dëshmojnë dhe vërtetojnë se puna e Tonit është e pakrahasueshme dhe e papërsëritshme në këtë sport.
“Ky libër, që mezi pres ta lexojë, do të jetë në arkivin e historisë sonë të artë, të cilin do ta trashëgojnë gjenerata të shumta. Këtë libër do ta mbajmë edhe në KOK, e do ta përdorim për dhurata për mysafirë specialë. Përgëzoj gazetarin e mirënjohur Arsim Maxhera për punën e bërë në këtë libër, e veçanërisht Dritonin për punën e madhe të bërë në arritjen e sukseseve”, ka thënë kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Redaktori i sportit në Grupin KOHA dhe autori, Arsim Maxhera, theksoi se megjithëse ka shumë më shumë për t’u thënë për Driton Kukën, në libër ka detaje që asnjëherë më parë nuk janë bërë publike.
“Ata që punojnë me Tonin, xhudistët sidomos, e dinë se sa kërkues është. Sa shumë kërkon prej bashkëpunëtorëve, prej nxënësve veçanërisht. Mirë që është i tillë. Kjo më ka bërë që të jem pak më kërkues edhe gjatë punës që kam bërë për afro 3 vjet. E kemi bërë një vepër të mirë, nuk po pretendoj se i kemi përmbledhur të githa, ka shumë më tepër për të shkruar e raportuar për Tonin. Por, kemi dhënë maksimumin. Ka gjëra që nuk dihen për Tonin e janë në libër”, ka thënë Maxhera.
Vetë “kryemjeshtri”, Driton Kuka pasi pranoi kopjen e parë të librit tha para të pranishmëve se ndihet krenarë për punën dhe sukseset e arritura deri më tani, por që është i bindur gjithmonë se ka mundur dhe mund të bëhet edhe më shumë.
Edhe
Kuka kompleton koleksionin e çmimeve për trajner
Ai tha se libri i promovuar sot do të mundësojë sukseset e arritura të mbeten si trashëgimi për brezat e rinj.
“Arsimi meriton lëvdatë. Ai tha se ishte kërkues, por edhe unë isha kërkues të jem gjithëpërfshirës. Jam i bindur se ja ka dal me i përmbledhë pjesët kryesore. Shpresoj që ky libër të plotësohet tutje me rezultate, medalje, me të arritura, jo vetëm të miat, por edhe të tjerëve që do të vinë pas meje në punën e trajnerit në komunitetin e xhudos, por jo vetëm. Dua të përshëndesë tri kampionet olimpike, Majlindën, Distrinë e Norën. Janë ushtare. Të tria janë komandos të sportit të xhudos, jam krenar që kam pasur rastin të punojë me to”, ka thënë Kuka.