Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kryeministri i Francës konfirmon që edicioni i futbollit në këtë vend nuk do të vazhdojë

Edicioni 2019\2020 i futbollit në Francë nuk do të lejohet të vazhdojë para shtatorit, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Edouard Philippe. Philippe ka folur të martën para parlamentit, ndërsa ka thënë se pos futbollit nuk do të lejohen deri në shtator edhe sportet tjera. Ai ka thënë se edicioni aktual nuk do të vazhdojë.

“Edicioni 2019\2020 i sportit profesional, sidomos ai i futbollit, nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Philippe.

Ai ka thënë se edhe pasi të përfundoj mbyllja më 11 maj, grumbullimi i më shumë se dhjetë personave në hapësirë të brendshme apo jashtë, nuk do të lejohet. Kryeministri francez ka konfirmuar që plazhet do të qëndrojnë të mbyllura për publikun të paktën deri më 1 qershor.

BBC ka njoftuar se vendimi i kryeministrit nënkupton që nuk do të vazhdojë Ligue 1 dhe Ligue 2. Futbolli në Francë ishte pezulluar më 13 mars, ndërsa ka pasur shpresë që kampionati të vazhdojë më 17 qershor dhe të përfundojë më 25 korrik.

Më herët kampionatin e ka anuluar edhe Holanda, ndërsa vendimi për anulim të kampionatit të Belgjikës ka mbetur pezull.

PSG-ja udhëheq në kampionatin francez me 68 pikë, 12 më shumë se Marseille. Kanë mbetur edhe dhjetë xhiro, ndërsa Parisi ka një ndeshje më pak të luajtur. Tani organet e futbollit pritet të vendosin nëse do të shpallet kampioni e po ashtu për rënie dhe promovim.