Shqipëria nuk është përballur asnjëherë me Kroacinë. Ndeshja e parë e këtyre dy përfaqësueseve të futbollit do të jetë më 19 qershor të vitit të ardhshëm në Hamburg, nga ora 15:00. Ndeshja do t’i takojë xhiros së dytë të fazës grupore të Kampionatit Evropian.
Ndonëse kuqezinjtë nuk e kishin asnjëherë përballë, Kroacia është përfaqësuese shumë e njohur për shqiptarët. Është shumë e suksesshme, po ashtu. Është përfaqësuese e ngjarjeve të mëdha, siç është Evropiani.
Në short, Kroacia ishte në vazon e tretë, derisa Shqipëria ishte në të dytën. Kjo për faktin që kroatët nuk kanë pasur kampanjë shumë të mirë kualifikuese. U kualifikuan nga pozita e dytë e Grupit D. Mblodhën 16 pikë, një më pak se Turqia. Prapa Kroacisë në grup ishin Uellsi, Armenia dhe Letonia. Grupi nuk ishte prej më të fortëve, por kroatët patën paraqitje vetëm për pozitën e dytë.
Selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq, ka udhëhequr Dinamon e Tiranës në edicionin 2008/09. 57-vjeçari prej vitit 2017 e udhëheq Kroacinë, ndërsa me Përfaqësuese ka suksese shumë të mëdha.
Yll i padiskutueshëm i Kroacisë është mesfushori i Real Madridit, Luka Modriqin. Ai është rekordmen edhe sa u takon paraqitjeve me Kroacinë. Ka plot 172 ndeshje deri më tani.
Me Modriqin në fushë, Kroacia ka shkëlqyer në dy Botërorët e fundit. Në Rusi në vitin 2018 u mposht në finale nga Franca. Vjet në Katar, Kroacia u rendit e treta. Medaljen e bronztë botërore e ka fituar edhe në debutim, në vitin 1998. Tri herë është ndalur në fazën grupore të Botërorit, ndërsa nuk është kualifikuar vetëm në Botërorin e vitit 2010.
Më pak suksese kroatët kanë në Evropian dhe këtë shpresojnë ta ndryshojnë në Gjermani në verën e vitit të ardhshëm. Në debutim në kampionatin kontinental, Kroacia arriti në çerekfinale në vitin 1996. Mungoi në vitin 2000, ndërsa në vitin 2004 u ndal në fazën grupore. Në çerekfinale u ndal edhe në vitin 2009, ndërsa grupin nuk e kaloi as në vitin 2012. Në dy Evropianët e fundit Kroacia arriti vetëm deri në një të tetën e finales.
Kroacia edhe në “Euro 2024” do të mbështetet në gjeneratën e Modriqit, që tashmë vlerësohet gjenerata e artë kroate. Disa prej lojtarëve të kësaj gjenerate tashmë janë pensionuar. Për disa të tjerë, si Modroqin, për shembull pritet të jetë ngjarja e fundit e madhe.
“Short i vështirë dhe kundërshtarë të vështirë. Kampionia në fuqi e Evropës, fituesja në fuqi e Ligës së Kombeve dhe Kroacia si e treta në botë. Shqipërinë duhet ta analizojmë më detajisht, ishte shumë e mirë në kualifikime. Na pret punë e vështirë. Do të jetë luftë e madhe për fazën nokaut. Shpresoj se do të përgatitemi mirë dhe se do të jemi të shëndetshëm pas gjashtë muajve. Kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë Daliq pas shortit.
Në bazë të emrave të kundërshtarëve, Shqipëria është autsajdere e Grupit B. Por jo edhe pa gjasa. Dy të parët në grup kualifikohen në raundin nokaut, e po ashtu katër prej gjashtë përfaqësueseve më të mira të vendeve të treta nëpër grupe. Pra, gjasat janë më të mëdha për avancim se për eliminim në grupe. Por në grup me Spanjën, Kroacinë e Italinë kjo do të jetë sfidë e vërtetë për kuqezinjtë.
“Kemi kundërshtarë shumë seriozë. Italia është kampione në fuqi. Spanja është gjithnjë e fortë. Shqipëria kishte kualifikime të shkëlqyera. Pra, grup i papërshtatshëm”, ka thënë trajneri kroat, Tomislav Ivkoviq.
Në futbollin kroat ka pasur dhe ka shumë lojtarë shqiptarë. Kujtim Shala e Ardian Kozniku kanë dhënë kontribut edhe për përfaqësuesen kroate, madje të çmuar. Kroacia ka shumë tifozë në mesin e shqiptarëve. Por për ndeshjen e 19 qershorit gjithë shqiptarët do të shpresojnë për festë kuqezi në Hamburg.
LEXO EDHE: