Zagreb, 31 maj – Përfaqësuesja e Kroacisë ka ndjekur shembullin e Çekisë duke u zhvendosur në bazën e saj në shtëpi për ndeshjet e Kampionatit Evropian, si pasojë e rregullave strikte për koronavirusin në Skoci.
Çekia javën e shkuar njoftoi se është tërhequr nga vendosja në qendrën e performancës “Orim” në Edinburgh, ndërsa një veprim të tillë e ka bërë të hënën edhe Kroacia.
Federata e Futbollit të Kroacisë (HNS), ka marrë vendim që mos të vendoset në kampin e propozuar për ekipin në qytetin e Skocisë, St. Andrews, por të qëndroj në Rovinj prej nga edhe do të udhëtojë për ndeshjet e fazës së grupeve të “Euro 2020”, të cilat do t’i luajë në Skoci dhe Angli. Kroacia është pjesë e Grupit D së bashku me Anglinë, Skocinë e Çekinë. Duelin me Anglinë (13 qershor), Kroacia do të luajë në Londër përpara se dy ndeshjet tjera, me Çekinë (18 qershor) dhe Skocinë (22 qershor) t’i zhvillojë në Glasgow.
“Ne kemi marrë një rekomandim nga UEFA për ta ndërruar lokacionin e bazës tonë për Evropian për shkak të rregullave strikte në Skoci dhe rutinat e përditshme, ku ekipi do të përballej vazhdimisht me testet PCR. Ne nuk kemi mundur të shkojmë në kamp në Skoci, pasi kemi rrezikuar që të na izolohet i gjithë ekipi, nëse dikush prej futbollistëve do të rezultonte pozitiv”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Federatës kroate, Marijan Kustiq.
“Nëse do të kishim zgjedhur ndonjë kamp tjetër atëherë do të duhej të improvizonim. Mendoj se kemi vepruar me përgjegjësi dhe kemi gjetur zgjidhje të shpejtë për ekipin, bazuar në rrethanat. Nuk kemi guxuar të rrezikojmë të vendosemi në St. Andrews”.
Edhe përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq ka thënë se është pajtuar me vendimin që të mbeten në kampin stërvitor të Rovinjit, në të cilin gjenden tashmë disa ditë. Daliq ka insistuar se ky edhe ishte opsioni më i mirë për Kroacinë.
“Mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë kohë të paparashikueshme për shkak të situatës me koronavirusin. Kemi mundësi të artë që të gjithë turneun ta kalojmë të vendosur në kampin stërvitor në shtëpinë tonë”, është shprehur Daliq. “Nuk do të jetë vështirë të udhëtojmë në ndeshje nga Rovinji, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Çekia”.
Edhe
Kroacia duhet ta ndalë Schickun për sukses ndaj Çekisë
Para ndeshjeve të “Euro 2020”, Kroacia këtë javë do t’i zhvillojë dy miqësore. Të martën do të përballet me Armeninë, kurse të shtunën me Përfaqësuesen e Belgjikës.
UEFA ka konfirmuar se përkrah vendimin e Kroacisë, sikurse edhe atë të Çekisë, derisa Qendra Sportive në St. Andrews ka thënë se i vjen keq për vendimin e marrë nga kroatët.
“Ne jemi të zhgënjyer nga lajmi se Përfaqësuesja e Kroacisë nuk do të përdorë pajisjet tona të klasit të lartë gjatë ‘Euro 2020’. Ne e kuptojmë vendimin e tyre për këtë. Qendra jonë e performancës mbetet e hapur dhe në dispozicion për t'u përdorur gjatë gjithë verës”, thuhet në njoftim.