Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kritika të shumta për Jasharin pasi refuzoi Zvicrën U21

Ardon Jashari vlerësohet prej futbollistëve më të talentuar në Zvicër. Megjithatë në muajt e fundit emri i tij më shumë përmendet për zhvillime jashtë futbollit. Në verë bëri bujë kur publikisht kërkoi të lirohet nga Luzerni për t’iu bashkuar Baselit. Kjo i kushtoi me marrjen e shiritit të kapitenit nga skuadra e Luzernit.

Shiriti i kapitenit iu kthye javën e kaluar, por Jashari tani është shumë aktual me vendimin që mos të grumbullohet me përfaqësuesen U21 të Zvicrës. Ai ka vendosur të refuzojë ftesën e Shpresave të Zvicrës, ndërsa është në dispozicion të përfaqësueses A të Zvicrës. Te Zvicra A është vetëm në listën rezervë.

Gazeta e madhe dhe me ndikim në Zvicër, Blick, të dielën ka publikuar një shkrim të gjatë lidhur me reagimet pas vendimit të Jasharit që të mos luajë për Zvicrën U21.

Trajneri i Luzernit, Mario Frick, ka theksuar se vendimi i Jasharit nuk është marrë në konsultim me klubin.

“Sërish ne te Luzerni duhet të flasim për gjëra të tjera e jo për futbollin. Nuk kam folur me Jasharin për këtë. Sërish jemi befasuar prej tij. Është vendim i tij dhe ai duhet të jetojë me pasojat”, ka thënë Frick për “Blick”.

Edhe Kthimi i Jasharit te Zvicra U21 pas telasheve në klubin e ri Futboll Kthimi i Jasharit te Zvicra U21 pas telasheve në klubin e ri

Eksperti i televizionit zviceran, SRF, Moritz Bauer, vlerëson se vendimi nuk është vetëm i Jasharit.

“Mendoj se mjedisi, këshilltarët dhe të tjerët kanë pasur ndikim në këtë vendim. Futbolli është biznes, ka të bëjë edhe me rritjen e vlerës së lojtarit. Nuk mendoj që Jashari është zgjuar një mëngjes dhe ka thënë se do ta refuzojë përfaqësuesen U21”, ka thënë Bauer.

Rolf Fringer, ish-përzgjedhës i Zvicrës, ka kritikuar Jasharin.

“Arrogancë, mospërfillje dhe mosrespekt ndaj lojtarëve tjerë te përfaqësuesja U21. Edhe një herë ka shije të hidhur për sjelljet e tij jashtë fushës”, ka thënë Fringer.

Legjenda e Baselit, Benjamin Huggel, ka thënë se secili lojtar që ftohet nga përfaqësuesja duhet t’i përgjigjet ftesës.

“Nuk e di saktësisht rrjedhën. Por sjellja e tij sigurisht që vëzhgohet nga Murat Yakin. Dhe nuk besoj se ka fituar diçka duke bërë këtë”, ka thënë Huggel.

“Blick” ka bërë pyetje se pse Jashari është në listën rezervë të Zvicrës A, kur e ka refuzuar Zvicrën U21.

Edhe Jashari ka refuzuar ftesën e Zvicrës U21 Sport Jashari ka refuzuar ftesën e Zvicrës U21

Jashari, 21-vjeçar, ka dy paraqitje për Zvicrën A. I ka luajtur shtatë ndeshje për Zvicrën U21. Me Zvicrën ka luajtur ndeshje zyrtare, kështu që ndryshimi i përfaqësueses më nuk është opsion.

Mesfushori qendror ka kontratë me Luzernin deri në vitin 2026. Por, vështirë se do të qëndrojë te kjo skuadër përtej verës së vitit të ardhshëm.