Sport

Krerët e KOK-ut kërkojnë mbështetje për sportin kosovar në Konventën “SportAccord”

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe sekretari i Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj po marrin pjesë në Konventën e SportAccord-it, që po mbahet në Arhus të Danimarkës i cili është shpallur qyteti i kulturës Evropiane për 2017, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Konventa Sportaccord është ngjarja më e madhe sportive në botë e cila paraqet takimin vjetor të udhëheqësve dhe vendimmarrësve të globit”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se në këtë ngjarje, përveç krerëve të komiteteve olimpike kombëtare, kryetarit të SportAccord, Francesco Ricci Bitti po merr pjesë edhe presidentit i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. Ndër takimet e para delegacioni i Kosovës pati me Sir Craige Reedie, President i WADA.

Hasani dhe Haxhijaj me këtë rast kanë takuar edhe një numër të madh të kryetarëve të federatave ndërkombëtare sportive si Ching Kuo Wu, President i AIBA-s, Hasan Mustafa, President i IHF, Marius Vizer, President i IJF, Ugur Erdener, President i WA, Brian Cookson, President i UCI, me anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, kryetarë të komiteteve olimpike nga vende të ndryshme, përfaqësues të bizneseve të ndryshme investuese në sport si dhe agjencive mediatike sportive botërore, si insidethegame, sport channel, etj.

Gjithashtu, ata kanë marrë pjesë në takimin e organizuar nga Peace and Sport me rastin e ditës ndërkombëtare të sportit për paqë dhe zhvillim drejtuar nga Joel Bouzu.

Delegacioni i Kosovës ka takuar edhe Kryetarin e FISU-së z. Oleg Matytsin, me të cilin diskutuan për proceduren e përshpejtuar të pranimit të Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës në FISU.

Ata kanë prezantuar në takimet e tyre të arriturat dhe sfidat e sportit në Kosovë, dhe kanë kërkuar mbështetje në avancimin e mëtutjeshëm të sportit të Kosovës si në organizimin e brendshëm si dhe atë ndërkombëtare.

Image