Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës në volejboll, Naser Krasniqi, pas humbjes ndaj Hungarisë në ndeshjen e parë eliminatore për Botëror, ka thënë se volejbollistët kosovarë bën paraqitje të mirë por është mungesa e përvojës.
Kosova pësoi humbjen e parë në këto eliminatore në një ndeshje që u zhvillua në Tallin të Estonisë, dhe ndaj Hungarisë pësoi 3 me 0 në sete.
“Djelmoshat filluam mirë, herë-herë u barazua rezultati por në fund ekipi me përvojë i Hungarisë e bëri diferencën në tre sete. Ajo që vlen të përmendet është se kjo është hera e parë në këto kualifikime dhe grupi ynë është shumë i fortë. Janë Rusia, Estonia, Mali i Zi, Rumania, Hungaria dhe ne”, ka thënë ai për Koha Ditore.
Ai ka lavdëruar mikpritjen dhe organizimin, ndërsa thotë se paraqitja e Kosovës ka bërë jehonë në mediat estoneze.
“Mikëpritja ishte e jashtëzakonshme, çdo gjë është për t’u lavdëruar si organizim. Shikueshmëria dhe paraqitja e ekipeve deri më tani është shumë në nivel. Paraqitja e jonë si kombëtare ka bërë jehonë shumë edhe në gazetat dhe mediat tjera në Estoni. Rezultati nuk ishte i kënaqshëm por është e kuptueshme që na mungon përvoja ndërkombëtare dhe me kohë shpresojmë që kjo të përmirësohet”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi më tutje ka shtuar se, “ndeshja e radhës, që zhvillohet nesër, ndaj Estonisë pritet të ketë më shumë publikë dhe do të përpiqemi të rezistojmë më shumë”.