Sport

Krasniqi i Llapit, i gatshëm për të debutuar me “Dardanët”

Ilir Krasniqi

Qendërmbrojtësi Ilir Krasniqi të premten është përfshirë në listën prej 26 futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve të këtij muaji. Krasniqi, që është pjesë e Llapit, është njëri prej tre lojtarëve të Superligës që mori ftesë nga tekniku francez. Pos tij, janë ftuar edhe dy lojtarët e Ballkanit, mesfushori Lindon Emërllahu dhe mbrojtësi Lumbardh Dellovën.

“Dardanët” të hënën nisin stërvitjet për ndeshjet që do t’i luajnë me Irlandën e Veriut dhe Qipron, me të cilat e mbyllin edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Më 24 shtator, Kosova luan në Belfast me Irlandën e Veriut, kurse tri ditë më vonë e pret Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Këto ndeshje i takojnë Grupit 2 të Ligës C, në të cilin Kosova ka tubuar gjashtë pikë dhe zë vendin e dytë në tabelë pas katër dueleve të luajtura.

Krasniqi, 22-vjeçar, me padurim po e pret grumbullimin me Kosovën. Ai të premten për KOHËN ka pranuar se nuk ka pritur të ftohet, por ka shtuar që ndihet i vlerësuar që do të jetë pjesë e grupit për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Krasniqi beson se paraqitjet e mira me fanellën e Llapit kanë bërë që të bie në sy të përzgjedhësit Giresse. Krasniqi shton se edhe ndeshjet që i ka luajtur me Përfaqësuesen U21 kanë kontribuuar të përfshihet në listën e francezit. Ai ka pesë ndeshje të luajtura me ekipin U21, ndërsa ka qenë edhe pjesë e ekipit U19.

“Ndihem shumë i lumtur dhe i vlerësuar që jam ftuar për herë të parë te Kosova. Ftesën nuk e kam pritur, pasi kam qenë i fokusuar ta jap maksimumin tim në çdo paraqitje që e kam pasur në fushë. Kështu që besoj se kjo ka ndikuar që edhe të ftohem nga Kosova dhe me padurim po pres t’i bashkohem grupit në përgatitje për këto dy ndeshje që na presin”, është shprehur Krasniqi për KOHËN. “Po ashtu, më kanë ndihmuar shumë edhe paraqitjet tek ekipi U21 krahas atyre te Llapi dhe besoj që është një prej arsyeve që do të jem pjesë e këtij grumbullimi te Kosova A”.

Krasniqi shpreson që të ketë minutazhë në ndeshjet e këtij muaji, por shton se do të ishte i kënaqur edhe vetëm me faktin që është pjesë e grumbullimit, duke pasur parasysh që është hera e tij e parë nën urdhrat e Giresset.

“Normalisht që pas grumbullimit është i rëndësishëm minutazhi. Mirëpo, edhe të jem pjesë e Kosovës në stërvitje do të thotë shumë për mua. Besoj se kjo mjafton për secilin lojtar të ri që ftohet për herën e parë”, ka shtuar Krasniqi. “Nëse më jepet mundësia për të luajtur, atëherë do ta jap më të mirën nga vetja për të bërë vend që të ftohem edhe në grumbullimet e tjera. Me rëndësi është që Kosova të ketë paraqitje të mira në këto dy ndeshje”.

Krasniqi, që iu bashkua Llapit vitin e shkuar, si senior ka luajtur në ligat më të ulëta të Kosovës, te KEK-u dhe Fushë-Kosova. Ai thotë se është i kënaqur me ngritjen si lojtar dhe është i bindur se në futbollin kosovar ka edhe shumë lojtarë të tjerë që në të ardhmen mund të jenë pjesë e përfaqësueses.

“Mendoj që kemi shumë futbollistë që meritojnë dhe kanë cilësi shumë të mira për të qenë pjesë e Kosovës. Shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe më shumë ftesa për lojtarët e tjerë të Superligës”, tha Krasniqi. “Rrugëtimi im deri këtu mund të them se ka qenë i mirë. Kalimi im nga një ekip në tjetrin më së miri e tregon formimin dhe rritjen time si lojtar”.

I kënaqur me ftesën për Krasniqin ka mbetur edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ai e ka mbrojtësin të pazëvendësueshëm në përbërjen e parë. Batatina thotë se Krasniqi e ka merituar ftesën për shkak se është njëri prej lojtarëve më të talentuar në Kosovë. Trajneri llapjan vazhdimisht ka bërë ftesë për grumbullimin e këtij lojtari.

“Jam gëzuar shumë për ftesën e Ilirit, por edhe për faktin që te Kosova janë ftuar tre lojtarë të Superligës. Kjo është dëshmi se futbolli kosovar po rritet dita-ditës”, ka thënë Batatina.