Trajneri i Bayern Munchenit, Niko Kovaq, nuk ka dashur të komentojë rreth transferimit të mundshëm të Meritan Shabanit tek Ajaxi.
Por kroati ka thënë se është i kënaqur me zhvillimin e Shabanit te të rinjtë e Bayern Muenchenit.
“Drejtori teknik i Bayern Munchenit, Hasan Salihamixhiq, merret me transferimet, por Meritani është duke u zhvilluar mirë. Jam i lumtur për të. Ai ka luajtur shumë ndeshje për ekipin e të rinjve”, ka thënë Kovaq për "welt.de" të hënën, transmeton Koha Ditore.
Ditë më parë u raportua se Ajaxi synon ta transferojë Shabanin gjatë këtij muaji. 19-vjeçari këtë edicion për ekipin e parë të gjigantit gjerman ka luajtur dy ndeshje, një në Bundesligë dhe një në Kupën gjermane.
Për ekipin U-19 të Bayernit ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar pesë herë në 15 ndeshje.
Tre gola i ka shënuar edhe në katër ndeshje të "UEFA Youth League". Me Bayernin ka kontratë deri në qershor të vitit 2020.