Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosovarja asiston në fitoren e Suedisë ndaj Zvicrës

Futbollistja Kosovare Asllani ka regjistruar një tjetër paraqitje të madhe për Suedinë. Në kuadër të Kampionatit Evropian që po mbahet në Angli, Suedia të mërkurën pasdite e mposhti Zvicrën me shifrat 2:1.

Ndeshja u luajt në Sheffield para 13 mijë shikuesve.

Asllani e kompletoi ndeshjen, ndërsa në shumë momente është shquar me veprime individuale. Ajo bëri asistim të bukur për Fridolina Rolfo që realizoi për 1:0 në minutën e 53-të. Zvicra barazoi menjëherë në minutën e 55-të. Realizatore ishte Ramona Bachmann.

Golin e fitores, Suedia e shënoi në minutën e 79-të. Shënuese ishte Hanna Bennison.

Te Zvicra në stol qëndroi Riola Xhemaili.

Zvicra në ndeshjen e parë të grupit C kishte barazuar 2:2 me Portugalinë, ndërsa Suedia kishte luajtur 1:1 me Holandën. Tani Suedia udhëheq në grup me katër pikë, por ende nuk e ka të sigurt kalimin në çerekfinale.