Sport

Kosova U19 mposhtet thellë nga Sllovenia U19

Futbollistet e Kosovës U19 e kanë humbur ndeshjen vendimtare për ta fituar Grupin 3 të Ligës B për kualifikim në Evropianin 2024 që do të mbahet në Lituani.

Futbollistet e përzgjedhura nga Albina Rrahmani të martën gjatë ditës u mposhtën 5:2 nga Sllovenia.

Ishte ndeshja e fundit e grupit.

Sllovenia, që ishte nikoqire e këtij grupi, kaloi në epërsi prej tri golave në pjesën e parë.

Për Kosovën U19 golat i realizoi Eltina Bozhdaraj, në minutën e 51-të dhe të 80-të.

Kreshnike Ramaja nga minuta e 60-të la “Dardanet” e reja me një futbolliste më pak në fushë pas përjashtimit nga loja me kartonin e dytë të verdhë.

Ndërkohë, Naja Miheliq realizoi “hat-trick” për sllovenet, ndërsa me nga një gol në fitore kontribuuan Noelle Vilçnik dhe Nezha Çebashek.

Kosova U19 e mbyll këtë cikël kualifikues me gjashtë pikë në vendin e dytë, pas dy fitoreve 3:0 ndaj Azerbajxhanit dhe Moldavisë.

Sllovenia inkuadrohet në Ligën A nga vendi i parë me nëntë pikë nga tri ndeshje.

Moldavia në vendin e tretë dhe Azerbajxhani në vendin e fundit fituan nga një pikë.