Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave, e drejtuar nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi, e ka vazhduar me fitore garimin në raundin e dytë të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti.
Kosova U19 është në Grupin 4 të Ligës B.
Pas fitores 2:1 ndaj Estonisë në ndeshjen e parë më 5 prill, të premten në mbrëmje, “dardanet” e reja fituan edhe ndaj Kazakistanit të kësaj grupmoshe me rezultatin 2:1.
Edhe kjo ndeshje u zhvillua në Edinburgh të Skocisë, që është nikoqire e grupit.
Sulmuesja Alketa Rama e shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 15-të.
Gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë, shifrat u barazuan në 1:1. Golashënuese për skuadrën e Kazakistanit ishte Nursulu Blazhan.
Fitoren Kosovës ia siguroi Fortesa Berisha, me golin të cilin e shënoi në minutën e 66-të.
Ndeshjen e ardhshme, Kosova U19 te femrat e luan kundër Skocisë U19, të hënën, më 11 prill.
Skocia dhe Kosova prijnë në tabelë me nga gjashtë pikë në dy ndeshje. Kazakistani dhe Estonia janë në dy vendet e fundit të Grupit 4.
Prej Ligës B nuk mund të arrihet kualifikimi në Evropian. Kosova është duke bërë gara për të kaluar në Ligën A në kualifikimet e ardhshme.
Vetëm vendi i parë në grup siguron avancimin në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.