Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll është renditur e parafundit në Kampionatin Evropian të Divizionit B. Në ndeshjen për pozitën e 21-të, përkatësisht të parafundit, Kosova e mposhti Shqipërinë me rezultat 85:64. Ndeshja u zhvillua të dielën pasdite në Matosinhos të Portugalisë.
Për Kosovën U18 ishte fitorja e parë pas gjashtë humbjeve rresht. Basketbollistët e rinj të Kosovës e nisën shkëputjen në çerekun e parë, të cilin e fituan 17:14. Në çerekun e dytë fituan me rezultat 22:18. Shkëputja e madhe u bë në çerekun e tretë, të cilin Kosova U18 e fitoi 26:13.
Në çerekun e katërt rezultati ishte 20:19 për Kosovën U20. Jon Ismajli ishte më i miri te Kosova me 23 pikë e tetë asistime. Arlind Konjuhi i kishte 27 pikë, ndërsa Rron Dahsyla kontribuoi me nëntë pikë e shtatë kërcime. Norik Binqe ndeshjen e mbylli me 10 pikë e shtatë kërcime. Te Shqipëria u dallua Arden Begaj me 20 pikë e 12 kërcime.
22 përfaqësuese garuan në Evropianin e Divizionit B në Portugali. Kosova U18 në grup humbi nga Estonia, Holanda, Rumania, Irlanda e Ukraina. Për plasman humbi nga Zvicra. Shqipëria në fazën grupore humbi nga Mali i Zi, Gjeorgjia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovakia e Hungaria. Për plasman pësoi edhe nga Norvegjia. Kështu Shqipëria përfundon e fundit e Kosova e parafundit.
Me paraqitjen e Kosovës U18 ndaj Shqipërisë, kanë përfunduar kampionatet evropiane për basketbollistët e grupmoshave të reja. Kosova U16 garoi në Divizionin C dhe nuk realizoi synimet, njëjtë si Kosova U18. Kosova U16 në Evropianin në Prishtinë përfundoi vetëm e katërta, ndërsa synonte triumfin. Ndërkohë Kosova U20 në Evropianin e Divizionit B në Shkup ishte renditur e 11-ta prej 20 përfaqësueseve.