Kosova në basketboll është thelluar në krizë të rezultateve, pasi ka pësuar një tjetër humbje. Ajo u mposht në ndeshjen e fundit të Grupit B të raundit të dytë parakualifikues për “Eurobasket 2021” nga Rumania me rezultat 75:79.
Ndeshja e zhvilluar në Prishtinë ishte e barabartë që nga fillimi. Periudha e parë u fitua nga “Dardanët” 21:14, por mysafirët u afruan në fund të pjesës së parë duke mbyllur çerekun e dytë me rezultat 17:25. Në periudhën e tretë, Kosova arriti të merrte kontrollin në ndeshje duke fituar 23:17. Dhjetëminutëshi i fundit ishte më i mirë për mysafirët që fituan 14:23. Në minutat e fundit, Kosova luajti pa yllin Dardan Berisha që u përjashtua nga loja.
Kosova mbetet e treta në këtë grup, pas Maqedonisë dhe Rumanisë. Grupin ajo e mbyll me dy humbje nga Maqedonia dhe dy nga Rumania. Kosova s’ka shënuar fitore që nga 19 gushti i vitit 2017, kur pati mposhtur Estoninë për kalim të parakualifikimeve për Botëror.
Biletën për fazën kualifikuese, Kosova do ta kërkojë në raundin e tretë të parakualifikimeve që mbahet në muajin gusht. Në atë fazë, Kosova bën pjesë në Grupin G bashkë me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe.