Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova, sensacioni i vitit 2018 në futboll

Foto: Koha

Kombëtarja e Kosovës në futboll ishte sensacioni i vitit 2018.

“Dardanët” shkruan histori, duke përfunduar në vendin e parë të grupit të tretë të Ligës D të Kombeve.

Në gjashtë ndeshje, shënuan katër fitore dhe dy barazime, duke mos e pësuar asnjë humbje, e ku shkëlqeu Arbër Zeneli që realizoi 6 gola brenda vitit 2018 dhe u bë futbollisti i parë që shënoi het-trick kundër Azerbajxhanin.

Rruga e suksesit nisi me barazimin 0:0 si mysafire e Azerbajxhanin, kurse më pas erdhën fitoret në “Fadil Vokrri” ndaj Ishujve Faroe 2:0 dhe Maltën 3:1.

Me Ishujt Faroe barazoi në ndeshjen e kthimit si mysafir 1:1, kurse e demoluan Maltën 5:0 në udhëtim si dhe në ndeshjen e fundit në kryeqytet, triumfuan 4:0 kundër Azerbajxhanit dhe përfunduan në pozitën e parë me 14 pikë.

Edhe Kosova, sensacioni i vitit 2018 në futboll Sport Kosova, sensacioni i vitit 2018 në futboll

Stadiumi “Fadil Vokrri” në kryeqytet që u rinovua për Kosovën, ishte i vogël për t’i zënë të gjithë, pasi kërkesat ishin shumë të mëdha. Brenda 30 minutave ishin shitur të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit.

15 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pranuar, ishte bilanci i Kosovës së trajneri Bernard Challandes, i cili e mori drejtimin e Kosovës me 2 mars dhe debutoi me fitore në dy miqësoret kundër Madagaskarit 1:0 dhe Burkina Fasos 2:0, në fund të muajit mars.

Në Play Offin e Ligës së Kombeve, Kosova do të luajë kundër Maqedonisë në mars të vitit 2020, kurse nga edicioni tjetër do të bëjë gara në Ligën C.

Para gjysmëfinales në Ligën e Kombeve, Kosova do të ketë punë të madhe gjatë vitit 2019, ku luan në kualifikimet e rregullta për Evropianin 2020, e ku bënë pjesë në një grup me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Vdekja e Vokrrit, humbja e vitit

9 qershori i vitit që lamë pas, ishte ditë e rëndë për futbollin shqiptar, pasi ndërroi jetë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri u nda nga jeta në moshën 58 vjeçare, pas një sulmi në zemër, vdekje që tronditi të gjithë shqiptarët.

Legjenda Vokrri që ishte i dashur nga të gjithë, e realizoi ëndrrën që kishte, duke e futur Kosovën në UEFA dhe FIFA, e po ashtu e bëri edhe Kombëtaren e Kosovës, e cila ka nisur shkëlqimin.

Për nder të veprës së tij, në varrim ishte të pranishëm shumë personalitet të larta nga UEFA e FIFA, në mesin e tyre edhe Zvonimir Boban. Aty nuk munguan as përfaqësues të klubeve ku ka luajtur më parë.

Stadiumi i kryeqytetit, për të cilin u angazhua shumë, mban emrin e “Fadil Vokrri”.

Vendin e Vokrrit në krye të FFK-së, e zuri Agim Ademi, i cili ishte nënkryetar i parë për shumë vjet.

Sukseset e para të klubeve kosovare në Evropë

Viti që po e lëmë pas shënoi paraqitjen e dytë të skuadrave kosovare në arenën ndërkombëtare.

Drita si kampione e Kosovës dhe Prishtina si fituese e Kupës, e përfaqësuan vendin në garat evropiane dhe që të dyja shkruan histori, pasi arritën të kalojnë nga një raund.

Ekipi nga Gjilani, i cili për herë të parë po shkelte në Evropë, luajti në para-kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Në turneun që u zhvillua në Gjibraltar, e ku morën pjesë katër skuadra, kampionia e Kosovës arriti të dalë e para, duke e fituar turneun dhe kaloi në rrethin e rregullt kualifikues.

Në gjysmëfinale, Drita e mposhti Santa Collomën e Andorrës, me rezultat 2:0, pas 120 minutave, pasi koha e rregullt u mbyll 0:0. Xhevdet Shabani dhe Fidan Gërbeshi nga penalltia shënuan golat historikë për ekipin nga Gjilani.

Në finale gjilanasit u takuan me Lincolnin e Gjibraltarit dhe kërkuan kalimin tutje.

Edhe në ndeshjen kryesore, Dritës iu desh koha shtesë, pasi në kohën e rregullt takimi përfundoi 1:1, kurse në vazhdime shpërthyen duke shënuar 3 gola për të triumfuar në fund 4:1 dhe për të arritur sukses të madh, sukses që nuk e kishte arritur asnjë skuadër nga Kosova. Liridon Leci me dy gola dhe Xhevdet Shabani e Haxhi Neziraj me nga një, ishin heronjtë e Dritës, në krye me trajnerin Bekim Isufi.

Në rrethin e parë kualifikues, Drita u takua me Malmon e Suedisë. Në ndeshjen e parë të luajtur në Mitrovicë gjilanasit humbën 3:0, kurse në të dytën 2:0 në Suedi dhe me rezultat të përgjithshëm prej 5:0 u mënjanuan.

Por, “Intelektualët” e kishin edhe një mundësi tjetër, pasi kaluan në kualifikimet e Ligës së Evropës, ku u takuan me Dudelangun e Luksemburgut. Përballjen e parë si mysafire Drita e humbi 2:1, ani pse ishte duke fituar me golin e Xhevdet Shabanit. Në ndeshjen e kthimit, Drita dhe Dudelangu luajtën baras 1:1 dhe kështu, kampionia e Kosovës u eliminua edhe nga Ligës e Evropës.

Përveç që shkroi histori duke u bërë skuadra e parë që e kaloi një raund të Ligës së Kampioneve, Drita u pasurua me 1 milionë e 30 mijë euro për pjesëmarrje dhe sukses në garat evropiane.

Edhe 2019-a, viti i ngritjes së Kosovës në futboll Sport 2019-a, viti i ngritjes së Kosovës në futboll

Pasi i mori mjetet financiare nga UEFA, ekipi e mbajti fjalën duke i shpërblyer lojtarët kryesorë me nga 10 mijë euro, kurse të tjerët me shuma më të vogla, por që në total premitë e kaluan shifrën e 150 mijë eurove.

Për herë të dytë në Ligën e Evropës u paraqit Prishtina, e cila mori pjesë si fituese e Kupës së Kosovës.

Edhe “bardhekaltrit” nga kryeqyteti shkruan histori, pasi për herë të parë arritën që të kalojnë fazën para-kualifikuese.

Ekipi nga kryeqyteti i Kosovës u takua me FC Europën, të cilën arriti ta mënjanojë pas dy ndeshjeve. Në përballjen e parë të luajtur në Gjibraltar, Prishtina arriti të marrë një barazim 1:1, falë golit të bukur të Meriton Korenicës. Ndërkaq, në ndeshjen e kthimit, kryeqytetasit e deklasuan Europën 5:0 në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë. Armend Dallku me dy gola nga penalltia dhe Mankenda e Januzi me nga një, ishin shënuesit në fitoren historike të Prishtinës.

Në raundin tjetër, Prishtina pati punë me Fola Eshin e Luksemburgut. Takimi i parë në udhëtim u mbyll me rezultat të barabartë 0:0 dhe ishte një rezultat pozitiv për prishtinasit. Megjithatë, në ndeshjen e kthimit në Mitrovicë, Fola Eshi arriti të triumfojë pas ekzekutimit të penalltive 5:4. Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën 0:0, kurse nga 11 metra më të saktë ishin mysafirët që vazhduan tutje. Prishtina kishte mundësi që të kalonte tutje, por penalltitë vendimtare nuk arritën t’i shndërrojnë në gola, Pefqeli, Hoxha e Boshnjaku, kurse i fundit që dështoi ishte Jamal.

Edhe Prishtina u shpërblye nga UEFA me 650 mijë euro për pjesëmarrje dhe kalimin e një raundi.

Sukseset e Dritës dhe Prishtinës nuk ndikuan që në sezonin e ri Kosova të ketë më shumë skuadra pjesëmarrëse në garat evropiane.

UEFA ka njoftuar se Kosova do të paraqitet sërish me dy ekipe, fituesin e Kampionatit dhe të Kupës.

Viti i Dritës

2018-a në futbollin e Kosovës, lirisht mund të quhet si vit i Dritës, skuadra që shkëlqeu në sezonin 2017/2018.

Ekipi nga Gjilani përmbylli një edicion fantastik, duke rrëmbyer titullin e kampionit, të dytin në histori të klubit dhe të parin pas 15 vjetëve.

Rrugën drejt suksesit e nisi trajneri Milaim Zuzaku, por nuk arriti ta vazhdojë deri në fund, pasi u largua për shkak të rezultateve jo të mira në fillim. Dritën, që e kishte përgatitur dhe formuar Zuzaku me 12 transferime cilësore, e mori ish-trajneri dhe kapiteni i kësaj skuadre, Bekim Isufi, i cili shkroi histori duke e shpallë kampione në fund të sezonit.

Si rrallëherë, titulli u vendos në xhiron e fundit, ku Drita ishte mysafire e Prishtinës në Pejë, pasi aty i luante ndeshjet si vendëse ekipi nga kryeqyteti, të cili i mungonte stadiumi që u rinovua gjatë verës.

Fitorja me dy gola e më shumë e shpallte Prishtinën kampione, kurse Dritës i mjaftonte humbja minimale dhe barazimi, e ky i fundit u arrit pasi ndeshja u mbyll 0:0 dhe festa e nisur në Pejë vazhdoi edhe në Gjilan, ku mijëra qytetarë i pritën kampionët dhe festuan deri në orët e para të mëngjesit.

Krahas këtyre sukseseve, “Intelektualët” prekën edhe një rekord të madh në futbollin kosovar, pasi arritën ta mbyllin kampionatin me 29 ndeshje radhazi pa pësuar disfatë në Superligë. 18 fitore, 13 barazime dhe vetëm 2 humbje, ishin rezultatet e Dritës, skuadër që pati sulmin më të mirë në ligë, me 53 gola të shënuar. Po ashtu, edhe trajneri Isufi nuk e pësoi asnjë disfatë në kampionat me gjilanasit.

Kastriot Rexha me 14 gola, ishte shënuesi më i mirë, së bashku me Xhevdet Shabanin, i cili realizoi 10 herë.

Nga Superliga në sezonin 2017/2018 u larguan direkt Vllaznia dhe Besa e Pejës. Për pejanët ishte hera e parë në histori të klubit që ranë në Ligën e Parë. Pjesë e kategorisë së dytë të futbollit kosovar u bë edhe Vëllaznimi, i cili humbi në barazh nga Ferizaj që u rikthye në elitë, kurse Flamurtari mbeti në Superligë pas triumfit në barazh ndaj Vushtrrisë. Direkt në Superligë nga Liga e Parë u inkuadruan KEK-u dhe Ballkani.

Sa i përket garave të Kupës, Drita u mënjanua nga Vëllaznimi pas penalltive dhe qysh herët mbeti jashtë kësaj gare. Në krye të Dritës ishte Bekim Isufi, i cili nuk kishte shumë ditë që ishte emëruar trajner. Kupa për vitin 2018 u rikthye në kryeqytet, pasi Prishtina në finale e mposhti Vëllaznimin pas ekzekutimit të penalltive në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë. Ky ishte trofeu i gjashtë për Prishtinën në histori të klubit dhe mbetet skuadra më e trofeshme në këtë garë. Për kryeqytetasit, kupa ishte si ngushëllim, pasi titullin që mungoi qe 5 vjet nuk e arritën as me trajnerin Mirel Josa, që erdhi nga Shqipëria për ta shpallë Prishtinën kampione, gjë të cilën nuk e realizoi.

E, siç e do rendi, fituesi i titullit dhe kupës zhvilluan ndeshjen për Superkupë, duel që u zhvillua në stadiumin modern “Fadil Vokrri” dhe kjo ishte ndeshja e parë testuese e cila kaloi me sukses. Fituese pas 90 minutave doli Drita, e cila mposhti Prishtinën me rezultat 2:1, për t’u stolisur me Superkupën e vendit. Fidan Gërbeshi nga penalltia dhe Betim Haxhimusa, shënuan golat e fitores për ekipin nga Gjilani, që u drejtua nga Bekim Isufi. Kurse, për Prishtinën e Josës, e cila dëshpëroi sërish, realizoi Mankenda.

Sa i përket sezonit të ri 2018/2019, kampionia në fuqi, Drita, nuk ishte as për së afërmi ajo skuadra rrezikshme e kampionatit të kaluar. Gjilanasit dështuan në vjeshtë, ku përfunduan në pozitën e gjashtë me 23 pikë, 17 më pak se vendi i parë. Te Drita kishte edhe ndryshime në shtabin teknik, ku Bekim Isufi u largua nga pozita e trajnerit, kurse në vend të tij erdhi Shpëtim Duro. Isufi, që nuk i shkonte asgjë për dore me skuadrën e tij, pati sjellje të çuditshme ndaj gazetarëve të Kohavisionit, madje edhe u mundua t’u tregojë se çfarë pyetje të bëjnë.

Në stinorin vjeshtor, Prishtina ishte skuadër që në fund përfundoi në pozitën e parë me 40 pikë, duke arritur 12 fitore, 4 barazime dhe vetëm një humbje. Vendi i dytë i takoi Feronikelit me 39 pikë, kurse Llapi u rendit i treti me 35 pikë. Gjilani përfundoi i katërti me 27 pikë, Drenica e pesta me tri pikë më pak, Trepca ’89 dhe Flamurtari mbajnë pozitat 7 dhe 8 me nga 22 pikë, kurse Ballkani dhe Liria renditen pas tyre. Dy skuadrat që patën formën më negative në vjeshtë ishin KEK-u, që nuk ka asnjë fitore në vjeshtë dhe mban pozitën e fundit me 1 pikë, si dhe Ferizaj që është i njëmbëdhjeti, me 15 sosh.

Stinori vjeshtor u karakterizua edhe me shkarkime dhe dorëheqje të shumta të trajnerëve. Nga 12 ekipe, gjashtë prej tyre i ndërruan trajnerët, kurse gjysma tjetër u besoi trajnerëve më të cilët e nisi kampionatin.

Edhe Futbolli i Kosovës vjet preku majat e historisë së tij Sport Futbolli i Kosovës vjet preku majat e historisë së tij

Sa i përket Kupës për sezonin 2018/2019, Prishtina, Feronikeli, Drita, Trepça ’89, Ballkani, Ferizaj, Vëllaznimi dhe KIKA, janë kualifikuar në çerekfinale.

Stinori pranveror do të nisë në mesin e muajit shkurt.