Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova përforcohet me lojtar nga Bundesliga 2

Hendbollisti Armend Alaj pritet që së shpejti të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës. Alaj luan alo në Bundesliga 2 të Gjermanisë, përkatësisht te skuadra Eisenach.

Alaj 25-vjeçar, së fundi ka aplikuar për pasaportë të Kosovës dhe sipas FHK-së do të jetë në dispozicion për përzgjedhje eventuale.

Hendbollisti me prejardhje nga Deçani është optimist se do të ftohet në përfaqësuese, që ndeshjet e ardhshme i ka në vjeshtë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2022”.

Te Kosova aktualisht nuk ka lojtarë që luajnë në nivelin më të lartë evropian. Luigj Quni bën karrierë në kampionatin norvegjez, ndërsa kapiteni Valon Dedaj dhe disa të tjerë në kategorinë e dytë zvicerane. Prej lojtarëve të Kosovës që luajnë në Gjermani, asnjë nuk është në Bundesligë apo Bundesliga 2.

Ndonëse pa lojtarë në nivelet më të larta, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj para në vitet e fundit. Këtë vit e mposhti Gjeorgjinë, kurse barazoi me Italinë. Kohë më parë e ka mposhtur Izraelin dhe ka barazuar me Poloninë.

Kosova synon kualifikimin në “Euro 2022”.