Sport

Kosova në kontakte me futbollistin që vlerësohet në Zvicër

Tri ditë pasi nënshkroi kontratën e parë profesioniste me Luzernin, mesfushorit Ardon Jasharit iu dha rasti të aktivizohet për ekipin e parë. Jashari nënshkroi kontratë më datën 27 janar të këtij viti, ndërsa tri ditë më vonë u paraqit për 90 minuta në humbjen e Luzernit ndaj Baselit. Pas asaj ndeshjeje, Jashari ka kompletuar edhe gjashtë duele të tjera të edicionit aktual në elitën e futbollit zviceran. 19-vjeçari po vlerësohet në Zvicër për teknikën dhe qetësinë që po e tregon kur e ka topin në këmbë. Futbollisti, që luan me këmbën e majtë, tashmë e ka marrë rolin kryesor në mesfushën e klubit elitar të Zvicrës. Në fundjavën e shkuar, Jashari asistoi në barazimin 2:2 kundër Young Boysit.

“Ai vepron pothuajse si një veteran në pozitën e mesfushorit qendror”, pati shkruar ndër të tjera “Luzerner Zeitung” për futbollistin e talentuar shqiptar.

Jashari u lind në Komunën Cham që gjendet në Kantonin e Zugut në Zvicër, ndërsa prindërit e tij janë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut. Jashari nuk ka luajtur më herët për asnjë gjeneratë të Zvicrës apo Maqedonisë së Veriut. Dhe, nuk ka pasur raportime nëse do të paraqitet për të ardhmen me ndonjë përfaqësuese. Mirëpo, është Kosova ajo që tashmë ka nisur kontaktet me familjen e Ardonit. Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se ka një kohë të gjatë që janë duke e përcjellë mesfushorin e Luzernit.

“Ardon Jashari është në moshë të re dhe një lojtar me potencial të madh. Është një lojtar që premton shumë dhe po luan rregullisht te Luzerni. Ka kontroll të mirë të topit dhe imagjinatë të mirë. Edhe pse është i ri në moshë, ai ka pjekuri të madhe. Luan si mesfushor qendror dhe i përshtatet lojës sonë. Ne kemi pasur kontaktin me Ardonin. Menaxheri Bajram Shala e ka kontaktuar fillimisht, ndërsa edhe ne të tjerët jemi në kontakt me të”, ka zbuluar Sahiti të mërkurën për KOHËN.

Jashari është zhvilluar si futbollist në Akademinë e Luzernit. Ka luajtur për gjeneratat e reja të Luzernit, ndërsa këtë edicion ka një asistim në shtatë ndeshje me ekipin e parë në kampionat. Një ndeshje, Jashari e ka luajtur edhe në Kupën e Zvicrës.

Në fakt, Jasharit i ishte dhënë mundësia edhe më herët të luajë për ekipin e parë të Luzernit. Ishte paraqitur në dy ndeshjet e fundit të sezonit 2019/2020. Pati luajtur një minutë ndaj Zuerichut, përpara se të aktivizohej 27 minuta kundër Baselit. Në sezonin e shkuar, Jashari është aktivizuar me ekipin U21 të Luzernit, ku edhe ishte kapiten. Pati shënuar gjashtë gola në 25 ndeshje. Me skuadrën e Luzernit, Jashari ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. E drejtori i Përfaqësueses kosovare, Sahiti, thotë se Jashari nuk e ka refuzuar interesimin e “Dardanëve” që t’u bashkohet në një të ardhme të afërt. Sipas Sahitit, Jashari është një lojtar që i përshtatet shumë projektit të Kosovës.

“Mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë. Deponimi i tij është pozitiv. Ne i kemi lënë kohë të mendohet dhe tani mbetet në dorën e tij. Ne do të bëjmë gjithçka që na kërkohet nga ana jonë. Ne do t’i qëndrojmë afër, por vendimi është i Ardonit nëse dëshiron të vijë të luajë për Kosovën”, është shprehur Sahiti. “Ne shpresojmë që ai të na bashkohet në projektin tonë dhe t’i arrijmë së bashku synimet e mëdha që kemi. Një lojtar si Ardoni do të ishte shumë i nevojshëm për projektin tonë. Bëhet fjalë për një lojtar që ka një të ardhme të ndritur”.

Superliga e Zvicrës është bazë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës. Pritet të jetë edhe në të ardhmen. Jashari nuk është lojtari i vetëm që përcillet nga Kosova. Sahiti thotë se në listë i kanë edhe disa futbollistë të tjerë që luajnë në Zvicër.

“Disa kanë hezituar të dalin dhe të deklarohen. Kemi pasur shumë kontakte me shumë lojtarë, por na është kërkuar të mos i bëjmë publike emrat dhe ne e respektojmë vendimin e tyre. Por uroj të marrim përgjigje pozitive prej tyre. Është momenti besoj të tregojnë nëse janë të vendosur apo jo t’i bashkohen Kosovës dhe projektit tonë”, ka thënë Sahiti.